Kampionët e Spanjës sapo kanë zyrtarizuar blerjen e qendërmbrojtësit francez Klement Longle, por nuk mbaron vetëm me kaq. Sipas raportimeve të fundit të medieve angleze, klubi “Blaugrana” ka bërë një ofertë në vlerën e 60 milionë eurove për sulmuesin e skuadrës së Çelsit, Uillian.
Te Barcelona do të pëlqenin të afronin sulmuesin tjetër të “Bluve të Londrës”, Eden Hazard, por shanset që belgu të kalojë te katalanasit janë shumë të pakta për shkak të kërkesave të mëdha të anglezëve dhe konkurrencës nga Reali i Madridit.
Braziliani Uillian është prej pesë sezonesh një lojtar stabël në ekipin londinez, si dhe në “Seleçaon” e drejtuar nga Tite. Interesimi për Uillian vjen dhe si pasojë e formës plot ulje dhe ngritje të talentit francez Usman Dembele, i cili ende nuk ka arritur të bindë teknikun Ernesto Valverde për një vend në formacionin titullar.