Roberto Mançini mori një pikë në ndeshjen me Portugalinë mbrëmjen e djeshme, duke garantuar matematikisht vendin e dytë dhe duke mos rrezikuar rënien, ndonëse Polonia do të luajë me Portugalinë në mesjavë. Italianët koleksionuan barazimin katërt radhazi në shtëpi, por ajo që bie në sy është fakti se Roberto Mançini përndiqet nga barazimet”.
Edhe në sezonin 2004-2005, zikaltrit e Mançinit koleksionuan plot 18 barazime, por në fund arritën që të siguronin vendin e tretë në klasifikim. Një statistikë interesante, por duket se fqinjët tanë janë në një periudhë rindërtimi, sidomos pas “goditjes” që morën duke mos u kualifikuar në Kupën e Botës. Pas ndeshjes, Mançini theksoi se skuadra bëri një ndeshje më të mirë me Poloninë, duke mos nguruar që të përmendë dhe emra të veçantë.
“Zhvilluam një ndeshje të mirë, por na mungoi goli. Bëmë një pjesë të parë të kënaqshme, por nuk arritëm të shënonim dhe ndeshje të tilla vendosen nga episodet. Duhet të bënim diçka më shumë, pasi mundësitë për të shënuar i kishim. Nuk duhet harruar se po punonim ndaj Kampionëve të Europë. Ka raste që dominon dhe në fund humbet, por e rëndësishme është se skuadra bëri një ndeshje të madhe, duke bërë një hap para në krahasim me ndeshjen që zhvilluam me Poloninë. Verrati? Është një lojtar fantastik dhe mjaft teknik. Ka shumë siguri me topin në këmbë dhe është shumë e vështirë që dikush t’i marrë topin”.