Sot në mesditë në fushën sportive “Reshit Rusi” në Shkodër, Vllaznia luajti një ndeshje miqësore me Burrelin, të dyja skuadra këto që pjesë e Grupit A në Kategorinë e Parë. Një barazim i bardhë pa gola 0-0, i cili ka kënaqur të dy trajnerët, ndërkohë që trajneri i matjanëve Elvis Plori, e quan këtë ndeshje si testin më të mirë para rinisjes së kampionatit të Kategorisë së Parë. Trajneri Hasan Lika i Vllaznisë u dha më shumë mundësi lojtarëve më pak të aktivizuar, e gjithsesi e quajti si test para ndeshjes me Erzenin në Kampionat dhe me Kamzën në Kupë.
“Në tërësi loja u zhvillua e mirë në të dyja pjesët e saj dhe unë mbeta i kënaqur. Në pjesën e dytë aktivizova lojtarë që kanë luajtur më pak në këtë periudhë dhe të gjithë e justifikuan me lojën që zhvilluan. Ishte një test për ndeshjen në kampionat me Erzenin në Shijak dhe për ndeshjen e Kupës në Kamzë, ndërsa sa i përket merkatos, përveç Krujës, asnjë futbollist tjetër nuk kemi afruar, sepse skuadra i ka të gjitha kapacitetet që ta mbyllë në vendin e parë në Grupin A”.
Ndërkohë që trajneri i skuadrës matjane, Elvis Plori, e quan këtë miqësore si testin më të mirë që skuadra e drejtuar prej tij ka zhvilluar në këtë periudhë përgatitore gjatë muajit janar. “Jam i kënaqur nga paraqitja e mirë që bënë lojtarët të cilët i kemi afruar gjatë kësaj merkatoje. Unë e quaj një test shumë të mirë për Burrelin, por deri në orët e fundit të merkatos do të jemi aktivë, kryesisht për një lojtar sulmues”.
Në datën 2 shkurt do të rinisë Kampionati i Kategorisë së Parë, ku Vllaznia luan me Erzenin në Shijak, ndërsa Burreli është mysafir në Fushë Krujë. Vllaznia kryeson Grupin A me 35 pikë, Burreli renditet në vendin e 9-të me 15 pikë, me pikë të barabarta me Ilirinë e vendit të 8-të.
AGRON KAJA