Bano zbulon Lushnjen e Superiores

Trajneri i verdhejeshilëve është i sinqertë në ato çka thotë, teksa tregon se baza e ekipit është ajo e vjetshmja, por thekson se do ketë edhe përforcime

Arjan Likja

Lushnja do të garojë në Superiore duke u mbështetur në buxhetin modest të Bashkisë, sikurse ka bërë në këto gjashtë sezonet e fundit. Ashtu si po konfigurohet skuadra deri në këto momente, është e qartë se objektivi do të jetë qëndrimi në elitë. Futbollistët me mjaft eksperiencë që kanë bërë të mundur ngjitjen e myzeqarëve në Superiore sezonin e kaluar i kanë dhënë besën Banos se nuk do ta tradhtojnë Lushnjen, pavarësisht ofertave që mund të kenë nga ekipe të tjera, madje prej një janë vënë nën urdhrat e teknikut lushnjar.

Meritë në këtë “po” të tyre ka edhe vetë kreu i pankinës verdhejeshile, që në një prononcim për “Sport Ekspres” tregon Lushnjen e sezonit të ri. “Sapo i kemi dhënë fund përgatitjeve për këtë javë dhe ne si staf teknik pak a shumë kemi kristalizuar në mendjen tonë se cili do të jetë grupi i futbollistëve që do të përfshijmë zyrtarisht në listën e federimive. U kam thënë futbollistëve se klubi do vazhdojë të sponsorizohet vetëm nga bashkia. Me këtë u kam lënë të kuptojnë të gjithëve se ekipi ynë nuk do të ketë luksin për të ofruar kontrata të majme financiare. Për këtë gjë kam gjetur mirëkuptimin dhe mbështetjen e të gjithë titullarëve që kisha në dispozicion në sezonin e kaluar. Mendoj se meritë për këtë mirëkuptim kanë futbollistët vendas, të cilët fanellën e Lushnjes e vlerësojnë me zëmër, duke i kaluar në plan të dytë financat. Të njëjtin mirëkuptim kam gjetur edhe me jabanxhinjtë Mone, Branica e Magani, të cilët janë bërë një me grupin e futbollistëve lushnjar.

“Afrimi i sulmuesit Brunild Pepa dhe i portierit Bejte kanë përforcuar më shumë cilësinë e grupit, ndërkohë që ne vazhdojmë të synojmë goditje të tjera në merkato. Java që vjen do t’i japë fund merkatos dhe konfigurimit të plotë të ekipit tonë. Kjo fazë do të finalizohet me zyrtarizimin e kontratave kokë për kokë me futbollistët dhe më pas do të shikojmë mundësinë e zhvillimit të fazë përgatitore në një vend ku ofrohen kushte komode stërvitjeje”, deklaroi Bano.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *