Bajerni i Mynihut hedh sytë nga Verder Bremeni për një sulmues. Levandovskit i duhet të bëjë edhe pushime, duke parë 30 vitet që mban në supe. Gjermanëve u nevojitet një zëvendësues pas ikjes së Sandro Vagner në janar drejt Kinës. Sipas “Sport 1”, Maks Kruze është emri më i arritshëm për momentin. 31-vjeçari ka bërë shumë mirë këtë vit në Bremen.
Ai është lojtari me shifrat më të mira tek ekipi i tij me 11 gola dhe 9 asiste në 32 ndeshje. Kruze luan që nga viti 2016 me Verder Bremenin dhe në 84 ndeshje regjistron 32 topa të çuar në rrjetë. Më parë ai ka luajtur me ekipe si Borusia Monçengladbah apo Volsburg. Gjermanit i ka skaduar kontrata dhe është lojtar i lirë.
Bajerni qëndron gati për ta rrëmbyer dhe për ta veshur bavarez. Ky do të ishte një transferim i leverdisshëm për ekipin e Kovaç, pasi marrin falas një lojtar shumë cilësor. Kruze do të kishte kënaqësinë të luante në një klub të madh si Bajerni dhe nuk do ta bezdiste fakti që pritet të jetë zëvendësues i Robert Levandovskit.