Mbyllen pesë ndeshjet e javës së tretë të Bundesligës gjermane, ku janë shënuar plot 19 gola. Bajerni i Mynihut mposhti Bajer Leverkusen me golat e Tolisos, Roben dhe Hames Rodrigez dhe renditen të vetëm në krye të renditjes. Miqtë e nisën sfidën me gol, duke shënuar që në minutën e pestë. Braziliani shënoi nga pika e penalltisë, duke mposhtur Nojerin, por avantazhi i miqve zgjati vetëm pesë minuta. Francezi Toliso barazoi rezultatin me një goditje brenda zonës, ndërsa Arjen Roben kaloi vendasit në avantazh në minutën e 19-të.
Holandezi përfitoi nga një top i kthyer nga mbrojtja e miqve dhe goditi fort brenda zonës, dukë shënuar një gol shumë të bukur. Leverkuzen mbeti me 10 lojtarë në minutat e fundit. Belarabi kreu një faull të rëndë dhe u ndëshkua me të kuqe në minutën e 80-të, ndërsa Xhejms Rodrigez vulosi fitoren një minutë para fundit, duke shënuar golin e tretë për ekipin bavarez.
Volfsburgu dhe Herta e Berlinit u ndanë në një barazim me gola. Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa në të dytën u shënuan katër të tillë. Miqtë shfrytëzuan një kundërsulm të shpejtë dhe holandezi Dilrosun shënoi një gol të bukur në minutën e 61’. Mali barazoi tre minuta para fundit me anë të një penalltie, ndërsa në minutë e parë shtesë, Duda shënoi një gol të bukur nga goditja e dënimit. Kur u mendua që Herta siguroi fitoren, Admir Mehmedi barazoi sfidën duke i dhënë një pikë skuadrës së tij.
Dyseldorfi arriti fitoren e parë në Bundesligë duke fituar përballë Hofenhajmit me rezultatin 2-1. Minutat e fundit të pjesëve ishin emocionuese me vendasit që kaluan në avantazh në limitet e pjesës së parë me anë të Morales, ndërsa miqtë barazuan me anë të anglezit Nelson katër minuta përpara fundit. Kur dukej se sfida po mbyllej në barazim, vendasit kaluan përpara me anë të një penalltie e kthyer në gol nga Lukebakio.
Fitoren e parë në këtë sezon arritën dhe Lajpcigu, që mposhti 3-2 Hanoverin dhe Mainci, që riktheu ndeshjen në fund, duke mposhtur Augsburgun në limitet e ndeshjes me rezultatin 2-1.
Bajern Mynih-Bajer Leverkuzen 3-1 (Toliso 10’, Roben 19’, Rodrigez 89’/ Uendel 5’)
Dyseldorf-Hofenhejm 2-1 (Morales 45’, Lukebakio 88’(pen)/ Nelson 86’)
Mainc-Augsburg 2-1 (Ujah 87’, Maksim 93’/ Ji Dong-Von 83’)
Laipcig-Hanover 3-2 (Poulsen 9’, Verner 40’, 63’/ Fullkrug 13’, Albornoz 65’)
Volfsburg-Herta 2-2 (Mali 88’, Mehmedi 93’/ Dilrosun 61’, Duda 91’)