Deri vjet drejtuesit e lartë të Bajernit deklaronin me krenari se nuk do shpenzonin kurrë shifra si ato të PSG-së, Mançester Sitit, Barcelonës, Realit e ndonjë klubi tjetër, pasi shifrat 100 milionë euro e lart janë absurde në futboll.
Megjithatë, dështimet e njëpasnjëshme në Champions League dhe nevoja për rinovim të skuadrës ka bërë që edhe Bajerni të dorëzohet, duke shpenzuar që tani 80 milionë euro për të blerë mbrojtësin e Atletiko Madridit, Lukas Hernandez, i cili do transferohet në verë në Bavari.
Shifër e çmendur, dy herë më e lartë se rekordi i mëparshëm i merkatos në Bundesligë, që e kishte vendosur Bajerni me Tolison, ndërkohë që drejtuesit e Bundesligës janë tërbuar, duke parë edhe 13 milionë eurot në vit që do fitojë kampioni i botës.
Më i ashpri dhe i drejtpërdrejti nga të gjithë është treguar manaxheri i përgjithshëm i Hanovër 96, Horst Heldt, i cili ka sulmuar hapur klubin bavarez: “Në djall vaftë kjo punë, si mund të shpenzohet një shumë kaq e madhe? Kjo shifër do të thotë që e ke humbur kontaktin me realitetin e jetës, po bashkohemi edhe ne me klubet e sheikëve. Hanovër ka një buxhet vjetor sa shpenzoi Bajerni për Hernandez, kështu nuk ka shans të rivalizojmë, as të mbijetojmë”.