Atletikë/ Luiza Gega “bën ligjin” në Turqi

Nënkampionia e Evropës dhe rekordmenia e Shqipërisë është shpallur dje kampione e Turqisë nën siglën e Fenerbahçes në garën e 3000 metrave me pengesa

Luiza Gega “turkeshë”. Jo “turkeshë” si në poezitë e Dritëro Agollit, por turkeshë me plot gojën, sepse dje është shpallur kampione e Turqisë, teksa në garën e 3000 metrave me pengesa ka dalë e para nën siglën e Fenerbahçes. Sipas trajnerit të Luiza Gegës, Taulant Stërmasi, kundërshtaret në garë kanë qenë shumë të forta, ndërsa një shumicë prej tyre kanë vrapuar deri më tani me kohën 9’26”00. Që do të thotë se është më e lartë se sa ajo që Luiza Gega ka arritur në Amsterdam vitin e kaluar me 9’28”52, ndërsa do të shpallej dhe nënkampione e Evropës. Ajo që i ka habitur më shumë si Stërmasin, ashtu dhe Gegën, ka qenë lartësia 1000 metra mbi nivelin e detit në Ankara, atje ku është duke u zhvilluar dhe kampionati i Superligës së Turqisë, ndërsa edhe për mungesë të oksigjenit dje gara e 3000 metrave me pengesa ka qenë më tepër taktike.

“Sigurisht – thotë Stërmasi – që ne kemi bërë dhe stërvitje në Korçë në lartësinë 850 metra, por prapë ndihej ndryshimi, ndërsa Luiza e përfundoi garën 9’44”. Vendi i dytë pas saj, që i takoi kampiones së Evropës për moshat deri në 23 vjeç, Tugba Guvenç, erdhi me kohën 10’07”. Gjatë garës i kam kërkuar që të mos stresohej shumë dhe të mos shtynte fort përpara”. Dhe në fakt, Gega e ka pasur garën gjatë gjithë kohës nën kontroll, ndërsa kanë pasur vërejtje dhe për pistën e tartanit në Ankara, që sipas Stërmasit nuk ka qenë e një cilësie të mirë. “E vërteta është se nuk ma kishte marrë mendja që kryeqyteti i Turqisë të jetë në një lartësi të tillë”, ka përfunduar Stërmasi. E megjithatë Luiza Gega është kampione e Turqisë në 3000 metra me pengesa nën siglën e Fenerbahçes, ndërsa shpresohet që sot pasdite të bëjë të njëjtën gjë dhe në 1500 metra. Gega e Stërmasi kthehen të enjten në darkë, ndërsa të premten do të jenë në kampionatin shqiptar për Tiranën, i cili zhvillohet në “Elbasan Arena”. Pra “e vogla e artë” e atletikës shqiptare është e atillë dhe në kampionatin turk, teksa ishte vlerë e shtuar. Dhe kështu duhet marrë e cilësuar kjo pjesëmarrje e saj në kampionatin turk, pa i vënë “shkopinj nën rrota”, sepse është fare e lehtë që të na e marrin të tjerët.  

Rezultatet teknike të 3000 metrave me pengesa

 

  • LUIZA GEGA (Fenerbahçe) 9’44”79
  • Tugba Guvenç (Enka Spor Kulubulu) 10’07”40
  • Fatma Demir (Bujuksehir Beledijespor) 10’35”79
  • Hafize Unaler (BB Ankara Spor) 11’50”09
  • Hafize Akçai (Beshiktash) 13’05”61
  • Meriem Çagri (Bursa Osmangasi Beledijespor) 13’20”96

 

  1. Merve Jildrim (Eskisehir Anadolu) s’e përfundoi garën

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online