Rraman Hallaçi nuk është më pjesë e Kukësit. Ish-futbollisti i verilindorëve, i cili ka bërë histori me fanellën e skuadrës së qytetit të tij, ishte pjesë e stafit të Kukësit që nga janari i vitit 2018. E nisi krah Peter Pakult dhe vazhdoi edhe me Armando Cungun e Ramandan Ndreun.
Së fundmi situata për të ka ndryshuar dhe e ka mbyllur me Kukësin, që i ka ofruar postin e trajnerit të ekipit të dytë. Praktikisht Hallaçi nuk është më pjesë e Kukësit. Gjithsesi, në kampin verilindor nuk kanë mundur të gjejnë kohë qoftë edhe për t’i shkruar dy radhë për ta falënderuar.
Më së shumti i ka shqetësuar dalja sërish në skenë i emrit të Ilir Dajës. Kolegët e “Panorama Sport” shkruanin sot që trajneri i Flamurtarit është një opsion për të pasuar trajnerin Ernest Gjoka në rast se nuk arrihen objektivat sezonalë.
Në fakt Kukësi e ka tentuar më parë Dajën, ndërkohë që edhe vetë presidenti Safet Gjici është shprehur se dy trajnerë ka në vendin tonë: Ilir Daja dhe Shpëtim Duro. Në kampin verilindor janë shqetësuar prej lajmit të dalë në media dhe hedhin poshtë gjithçka, veçse harrojnë të mbajnë edhe një qëndrim zyrtar mbi pozicionin e Rraman Hallaçit. Sigurisht do të flitet edhe për këtë, gjë që në fakt duhet të kishte ndodhur.
REAGIMI PËR DAJËN – “FK Kukësi i konsideron të pavërteta lajmet e përhapura sot në media, sikur në pankinë do jetë një nga trajnerët aktualë që drejton për momentin një tjetër ekip të Superligës. Presidenti dhe klubi i kanë dhënë dhe po i japin mbështeje maksimale ekipit dhe trajnerit Ernest Gjoka, për të kapur dy objektivat, që janë: Vendi i dytë në Superligë dhe fitimi i Kupës së Shqipërisë.
E gjithë vëmendja është përqendruar te këto dy sfida dhe aspak në ndryshimin e stafit. Lajme të tilla, përveçse të pavërteta, synojnë të sjellin shpërqendrim te ekipi, por përvoja e lojtarëve dhe stafit bëjnë që përgjegjësia të jetë tepër e madhe. Ekipi është përqendruar maksimalisht te stërvitja dhe objektivat, dhe me pas te faza përgatitore dhe përfaqësimi dinjitoz në Europë, duke ruajtur bazën e ekipit dhe stafin”, shkruhet në reagimin e Kukësit.