Asamoah: Kieza lojtar shumë i mirë, por ma shpifi me rrëzimet!

Inter arriti një tjetër fitore emocionuese, duke mposhtur Fiorentinën me rezultatin 2-1. Goli i D’Ambrozios në minutën e 77-të i dha fitoren e tretë brenda një jave ekipit të Spaletit. Dueli Asamoah-Kieza ishte një nga më të bukurit e ndeshjes, me lojtarin e Fiorentinës, i cili ishte rreziku kryesor për ekipin e Interit.

Ganezi i zikaltërve ka folur për ndeshjen e fituar dhe nuk ngurron të thumbojë Kiezën për faktin që shtrihej shpeshherë në tokë, pa asnjë shkak, edhe pse e vlerëson shumë si futbollist.

“Jam i lumtur me atë që po bëj unë dhe skuadra. Jam i kënaqur me faktin që kemi gjetur rrugën e duhur për të fituar ndeshjet. Kampionati nuk është i lehtë, por po rritemi dhe përmirësohemi. Ndodh që pësojmë gol, por nuk dorëzohemi deri në minutën e fundit dhe ky është mentaliteti i nevojshëm për të fituar ndeshjet.”

“Kam luajtur shumë herë kundër Kiezës, është një lojtar i fortë, ka një këmbë të mirë, është inteligjent dhe një lojtar interesant. Pati një moment kur nuk durova dot më, sepse binte në tokë pa i bërë asgjë. Publiku ishte fantastik dhe na shtyu deri në fund në kërkim të fitores. Në ndeshjen e radhës duhet të tregojmë të njëjtin shpirt skuadre si kundër Fiorentinës”, përfundon Kuado Asamoah.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *