Skënderbeu-Tirana shpesh ka prodhuar ngjarje që nuk kanë lidhje me futbollin e luajtur në fushë dhe sot historia është përsëritur.
Së pari, problemet e krijuara gjatë ndeshjes dhe tensioni e ofendimet kanë degjeneruar dhe ka pasur edhe përplasje fizike mes tifozëve të Tiranës dhe policisë.
Disa tifozë janë arrestuar dhe shoqëruar në polici, duke bërë që asnjë nga grupimi “Tirona Fanatics” të mos largohej nga Korça pa u liruar shokët, gjë që ndodhi rreth orës 22.00.
Ndërkaq, korçarët e kanë me veten këtë radhë, sepse ka plasur keq mes tifozëve dhe Marko Radas.
“Ujqërit e dëborës” kanë akuzuar hapur lojtarët për shitjen e ndeshjes. Radas shkoi te tifozët te tribuna C për të folur me ta, por ka qenë e kotë, sepse tifozët e kanë refuzuar, e kanë ofenduar dhe kanë hedhur edhe stola drejt tij.
Debati zgjati disa minuta, aq sa Radas tentoi edhe përballjen fizike, i nervozuar në maksimum, ndërkohë që edhe nga tifozë të tjerë nëpër stadium kishte ofendime ndaj skuadrës.
Skandaloze, klubi më i fuqishëm i dekadës, mbreti i futbollit shqiptar prej vitesh, tashmë është duke u shkërmoqur dhe fakti që tashmë është në luftë me tifozët e vet tregon se perandoria po shembet.