Armando Broja do të kthehet te Chelsea, Fabricio Romano zbulon klubin që do e kërkojë në verë

Armando Broja do të rikthehet te Çelsi në fund të këtij sezoni. Huazimi i tij te Fullhemi nuk shkoi siç pritej për të dhe blutë e Londrës po mendojnë për shitjen e kartonit të sulmuesit shqiptar në verë. Ulverhemptoni është ende në kërkim të një sulmuesi dhe Broja me shumë mundësi do të jetë një alternativë kryesore në merkaton e ardhshme. Këtë e ka konfirmuar edhe Fabricio Romano në një intervistë për “GIVEMESPORT”.

“Pozicioni për Ulverhemptoni është ende atje. Kështu që le të shohim se çfarë do të ndodhë ose nëse do të shtojnë ndonjë lojtar në listën e tyre të sulmuesve. Gjithashtu, le të shohim se çfarë do të dojë të bëjë Çelsi me Brojën, sepse ai do të kthehet në ‘Stamford Bridge’. Por me siguri mendoj se Ulverhemptoni do të jetë i zënë me një sulmues në dritaren e transferimeve të verës”, ka thënë Fabricio Romano./Halit Delibashi-Sport Ekspres/