Punimet në stadiumin e ri kombëtar vazhdojnë dhe ndodhen në fazën e fundit të tyre. Të gjithë po presin me emocion përfundimin dhe momentin kur “Arena Kombëtare” të jetë krejtësisht gati.
FSHF ka dalë me një lajmërim në faqen e saj, ku kërkon afrimin e sponsorëve të ndryshëm për blerjen e emrit të stadiumit. Çdo kompani e interesuar duhet të plotësojë disa kushte. Fituesi do të bëhet zyrtarisht sponsori i ri i FSHF-së për stadiumin kombëtar.
Data 15 gusht është dita e fundit e paraqitjeve të ofertave, ndërsa FSHF sqaron gjithçka në deklaratën e mëposhtme.
LAJMËRIMI I PLOTË I FSHF-SË
Federata Shqiptare Futbollit njofton se po kërkon një sponsor për stadiumin e ri kombëtar. E drejta për të qënë sponsor përfshin blerjen e të drejtave të emrit të stadiumit të ri si dhe perfitime të tjera.
Çdo kompani e interesuar duhet të permbushë kriteret bazë që janë:
- Të jetë një kompani me një xhiro prej të paktën 10 milion euro në vit
- Të jetë një kompani që gëzon emër të mirë dhe reputacion të rëndësishëm kombëtar dhe/ose ndërkombetar
Shitja e të drejtave të emrit do të ketë një afat minimal prej 5 vitesh dhe një çmim dysheme prej 600 mijë euro në vit.
Çdo subjekt që vlerëson se përmbush kriteret e mësipërme dhe shfaq interes për ofertën duhet të paraqes një letër për shfaqje interesi deri më datën 15 Gusht 2019.
Shfaqja e interesit do të konsistojë në një letër ku të parashtrohet deklarimi i kompanisë se është e interesuar dhe të paraqitet dokumentacion bazë për xhiron e kompanisë dhe një CV të saj në lidhje me veprimtarinë në vendin tonë apo jashtë tij.
Procedurat e mëtejshme të zgjedhjes së kompanisë do ju njoftohen vetëm kompanive që do të shprehin interes, në një moment të dytë.