Ardit Hoxhaj nuk fshihet: Jam gati për hapin e madh!

Futbollisti vlonjat shpreson shumë të kontribuojë sezonin e ri për skuadrën e qytetit thekson se rëndësi ka emri i Flamurtarit dhe jo ai personal

Elton Nika

Aktivizim te Bylisi, ku spikati me golat e tij, më pas kalimi te Skënderbeu, huazimi te Korabi dhe rikthimi në Vlorë, por në formë huazimi. Sulmuesi vlonjat, Ardit Hoxhaj, rikthehet të veshë fanellën e Flamurtarit dhe kjo është një mundësi shumë e mirë për të bërë një hap të rëndësishëm përpara në karrierë. Vetë lojtari, një nga përforcimet e verës, beson shumë se ka ardhur momenti për të lënë shenjë me Flamurtarin dhe për të qëndruar sa më gjatë në Vlorë. Ai thekson se sezoni i ri ka shumë rëndësi për atë vetë dhe gjithë skuadrën vlonjate, që duhet të kthehet në nivelin që i takon, pasi ka formuar një grup vërtet me kualitet. “Të luash për skuadrën e qytetit tënd, natyrisht që është mjaft e rëndësishme dhe unë këtë besim që më dhanë, dua ta shpërblej me atë që do të jap në fushë”, – thekson në fillim sulmuesit vlonjat Hoxhaj, i cili zhvilloi një paraqitje të mirë me Korabin në gjysmën e dytë të kampionatit të fundit.

HAPI I MADH – Ardit Hoxhaj nuk e fsheh aspak se synimi i tij është të bëjë hapin e madh dhe të rëndësishëm për të. Dhe do të ishte kënaqësi e dyfishtë, nëse do ta bënte me fanellën e Flamurtarit, skuadrës së qytetit të tij: “Flamurtari është skuadra, ku unë, si çdo vlonjat, do të doja të luaja gjithmonë. Ky sezon besoj se është mundësia, që të gjithë së bashku të bëjmë diçka të rëndësishme për skuadrën dhe për veten. Personalisht, do të jap maksimumin për të treguar veten dhe për të nderuar Flamurtarin. Kemi nisur një fazë përgatitore të ngjeshur, që është normale në këtë periudhë, pasi i shërben kampionatit që nis në shtator. Kemi zgjedhur një vend më të qetë dhe të freskët dhe kjo vlen shumë, pasi na lejon të punojmë si duhet. Të gjithë vëmendjen e kemi tek ajo çfarë na kërkon stafi teknik gjatë stërvitjes”, – shton futbollisti vlonjat.

FORMACIONI – “Roli im në fushë? Padyshim që jam këtu për të dhënë kontributin tim për Flamurtarin dhe është gjë e mirë, kur në një skuadër ka shumë konkurrencë, ashtu siç ka tashmë te Flamurtari. Nuk e mendoj, nëse duhet të jem patjetër titullar, por natyrisht që dua të luaj sa më shumë. Gjithsesi, rëndësi ka emri i skuadrës dhe jo ai personal, ndaj të shohim. Së pari dua të jetë protagonist Flamurtari dhe ky sezon ka për të qenë pozitiv për të”, – ka përfunduar sulmuesi, i cili shumë mirë mund të luajë edhe si mesfushor i avancuar.

Image may contain: 1 person, standing

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *