“Arbitron një femër, sa e pështirë!”, plas skandali në Itali

Futbolli nuk është më një sport vetëm për meshkuj, ka vite që tabuja është thyer dhe tashmë mund të shohësh edhe vajza që luajnë shumë bukur futboll dhe mbushin stadiumet, si ndodhi para pak ditësh me Atletiko-Barcelona, rekord i gjithë kohërave për një ndeshje klubesh në futboll femrash (mbi 60 mijë tifozë), apo fundjavën që shkoi Juventus-Fiorentina, ku në “Juventus Stadium” ishin shitur thuajse 40 mijë bileta, si në Champions League.

Megjithatë, ka ende njerëz injorantë që mendojnë se futbolli nuk është për femrat dhe nuk po flasim për vende të botës së tretë, por për Italinë. Ditët e fundit një gazetar italian, Sergio Vessicchio, komentator në televizionin lokal “CanaleCinqueTv”, ka shpërthyer në ofendime sa po ka parë që një femër, Annalisa Moccia, ishte anësore në ndeshjen Agropoli-Sant’Agnello.

Faji i zonjushës Moccia ishte thjesht… të qenit femër: “Do i lutesha regjisë të inkuadrojë arbitren anësore, diçka që nuk mund të shihet me sy. Diçka e pështirë, të shohësh femrat që vijnë dhe bëhen arbitre në një kampionat ku klubet shpenzojnë qindra e mijëra euro. Është një barcaletë e federatës, diçka e shëmtuar për t’u parë në një fushë futbolli”.

Videoja bëri xhiron e rrjetit dhe ka plasur skandali,aq sa gazetari nga Agropoli është pezulluar nga Lidhja e Gazetarëve në Campania, edhe për faktin se nuk i ka për herë të parë sjellje të tilla.

I indinjuar edhe presidenti i shoqatës së futbollistëve, Marcello Nicchi: “Kam mbetur i shtangur nga shprehjet skandaloze dhe diskriminuese të gazetarit Sergio Vessicchio, i cili ka ofenduar arbitren Annalisa Moccia vetëm sepse është femër. Solidarizohem me gjithë arbitret femra dhe u bëj thirrje gjithë autoriteteve përkatëse të reagojnë, deri te policia”.

Vetë Vessicchio është munduar të justifikohet: “E kuptoj që kam thënë fjalë të forta, ishte një budallallëk, kërkoj falje. Sulmi im i drejtohej Federatës Italiane, jo femrave. I kërkoj falje vetëm arbitres Annalisa Moçia, gjithçka është keqinterpretuar dhe keqpërdorur”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *