Pak muaj në Estoni i kanë mjaftuar Arbër Bashës të bëhet “zot shtëpie” te Trans Narva dhe të meritojë edhe ftesën nga kombëtarja U-21 e Shqipërisë.
Mesfushori 20-vjeçar nga Tirana zbarkoi në korrik në Estoni dhe që atëherë është kthyer në titullar fiks tek ekipi i tij, që tashmë ka arritur synimin madhor në kampion, duke e mbyllur në vendin e katërt.
Objektivi është arritur para kohe, sepse ka edhe dy javë kampionat, ndërsa sot humbja 4-1 në Tulevik ka qenë pa pasoja.
Një ndeshje me 2 kartonë të kuq për Trans Narvan dhe shumë tension, ndërsa Arbër Basha luajti për një orë, para se të zëvendësohej për një dëmtim në vetull.
Fati i keq i Trans Narvas, sepse një minutë pas daljes së Bashës pësoi gol dhe më pas ishte e pamundur përmbysja, me 10 lojtarë prej minutës së 38-të dhe me 9 lojtarë në 17 minutat e fundit.
10 ndeshje në kampionat, pa harruar disa të tjerë në kupë e Europa League, ndaj misioni i Bashës është i kompletuar dhe ndoshta do të hedhë një hap më lart për sezonin e ardhshëm.