Ditën e nesërme përfaqësuesja angleze do të ndeshet me homologen e saj zvicerane në një takim miqësor, që do të zhvillohet në stadiumin “King Power” në qytetin e Lesterit. Kjo sfidë do të jetë mjaft e veçantë, pasi transmetimi televiziv do të fillojë me ngjyrat bardhezi.
Vendimi është marrë nga kompania e njohur “Sky Sports”, por transmetimi dyngjyrësh do të zgjasë vetëm 25 sekondat e para të takimit, pasi bëhet fjalë për një veprim simbolik për të nderuar 25-vjetorin e themelimit të lëvizjes “Kick it Out”.
“Kick Out” është një fushatë kundër racizmit e krijuar në vitin 1993 nga federata angleze, shoqata e lojtarëve anglezë dhe disa organizata të të drejtave të njeriut. Përgjatë 25 viteve kjo fushatë ka kryer me qindra aktivitete që synojnë të edukojnë fëmiët dhe të rritur me qëllim për të ulur rastet e incidente të diskriminimit racor.