Sezonin e shkuar ishte një objekt misterioz, i cili shënonte vetëm në Europa League dhe Milanin e kritikuan të gjithë se shpenzoi thuajse 40 milionë euro për ta blerë nga Porto.
Tani Andre Silva luan në huazim në Spanjë dhe e ka nisur frikshëm sezonin, sepse pas 3 golave në ndeshjen hapëse të kampionatit, sot shënoi golin që fundosi Italinë në Lisbonë.
Triumfoi Portugalia 1-0, pa Ronaldon, duke shkëlqyer në lojë dhe duke dominuar një Itali të zbehtë e pa asnjë ide. Aq e dobët ishte skuadra e Mançinit, saqë në pjesën e parë kreu një numër shumë të vogël pasimesh, si asnjëherë prej shumë vitesh.
Goli i Andre Silvës sapo nisi pjesa e dytë ishte mëse i merituar për Portugalinë, që e ka nisur shumë mirë Nations League, ndërsa Italia ka vetëm një pikë në dy ndeshje dhe tashmë nuk mendon më për kreun, por për të mos dalë e fundit në grupin e vet në Ligën A.
Revolucioni Mançini ka nisur ters, ose nuk ka nisur fare!
Andre Silva’s goal pic.twitter.com/bYZM9DaCmL
— #FreeLocatelli (@semo33) September 10, 2018
Ndërkaq, në Suedi spektakël e gola, me Suedinë e Turqinë që u ndeshën ballëhapur, vetëm për fitore, në grupin 2 të Ligës B. Turqia duhej të reagonte pas humbjes shtëpiake ndaj Rusisë, por në minutën 35 e 49 Thelin dhe Klaeson krijuan idenë se mori fund. Megjithatë, Çalhanoglu në minutën e 51-të rihapi gjithçka dhe Akbaba barazoi në minutën e 88-të, duke zgjuar Turqinë. Po Akbaba në minutën e 92-të shënoi golin e fitores së madhe për turqit.