Analiza e Mezanit: Luftëtari këtu prej menaxhimit, do e ndjejmë mungesën e Rrocës

Pas dy ndeshjeve në UEFA Europa Ligë dhe largimit të Dejvi Bregut e Kristal Abazajt, Luftëtari e nisi këtë sezon të Kategorisë Superiore me rezultate të dobëta. Largimi në javën e katërt i trajnerit Kostiç u duk si “barka e shpëtimit”, duke ulur në bankinë vlonjatin Gentian Mezani, i cili në sezonin e kaluar drejtoi skuadrën e Laçit.

Për këtë situatë, Mezani deklaroi për SportEkspres.com se skuadrës i ka munguar menaxhimi i mirë që në startin e këtij kampionati. Në analizën e tij për 14 javët në stolin e Luftëtarit, tekniku i skuadrës bluzi veçon edhe cilësitë e mira të pjesës më të madhe të grupit aktual të lojtarëve, që sipas tij garantojnë një skuadër më ndryshe në dy fazat e tjera.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Drejtimin e Luftëtarit e morët në javën e 5-të, janë arritur pritshmëritë tuaja deri në javën e 18-të?
-Nga ndeshja e parë me Teutën në javën e 5-të dhe deri në mbylljen e fazës së dytë në barazimin 1-1 me Partizanin, mendoj se skuadra ka patur rritje në lojën e saj. Me pak kujdes, mund të kishim marrë më shumë pikë, kryesisht në disa ndeshje të fazës së dytë.

Gjetët një skuadër jo fort të stabilizuar dhe me problematika, çfarë ka ndryshuar nga ajo situatë?
-Unë nuk i quaj problematika dukuritë që shfaq një skuadër në nisjen e çdo sezoni. Luftëtari është skuadër me një grup të mirë futbollistësh dhe nga java në javë pati rritje, sepse u vunë më mirë në funksion të ekipit cilësitë individuale të çdo futbollisti.

Në 14 javë që ju drejtoni Luftëtarin, në cilët tregues të lojës skuadra ka qenë më pozitiv dhe në cilët prej tyre ka gabuar?
-Pas ardhjes së Rrocës e Aleksit në ekip, të cilët ishin të dëmtuar në ndeshjet e mëparshme, skuadra tregoi rritje në lojë e rezultate. Por gjatë këtyre ndeshjeve skuadra e ka humbur shpesh edhe përqendrimin nga minuta e parë deri tek e fundit, minuta në të cilat edhe jemi ndëshkuar.

Luftëtari renditet në zonën e mbijetesës, të tjera shkaqe për këtë situatë ju cilët mendoni?
-Si shkakun më kryesor mendoj nisjen e dobët të kampionatit. Nëse kjo nisje do të ishte më e mirë, skuadra do të ishte ndryshe në vazhdimësi. Por si faktor kryesor për këtë renditje mendoj se ka qenë menaxhimi i dobët. Duhet të ishte më i kujdesshëm që të mos ishim në këtë renditje.

Tashmë që është mbyllur gjysma e sezonit, mendoni se Luftëtarit i duhen përforcime të reja për gjysmën e dytë?
-Në radhë të parë është e rëndësishme që te Luftëtari të ruhet ky grup që mbylli dy fazat e para. Sepse në këtë periudhë dimërore të merkatos është e vështirë që të gjenden lojtarë cilësorë. Largimi i Rrocës do të ndjehet në skuadër, por brenda këtij grupi do të gjejmë më të mirën.

Pjesa e dytë e sezonit bëhet më e vështirë, ju çfarë do ti kërkoni skuadrës?
-Skuadra duhet të kuptojë se tani fillon lufta e vërtetë në kampionat. Jo vetëm nga skuadra, por nga të gjithë drejtuesit do të duhet një menaxhim më i mirë se në dy fazat e tjera, sepse me pak kujdes, Luftëtari i ka mundësitë që të jetë pjesë e mesit të tabelës së renditjes.

Ku do të përqendroheni më shumë gjatë periudhë përgatitore të muajit janar?
-Kjo është një hapësirë kohore e shkurtër që nuk të jep shumë mundësi përgatitjeje. Ne do të nisim nga puna në datën 3 janar, ndërkohë që në datën 6 janar do të zhvillojmë dy javë përgatitje në Greqi. Gjatë kësaj periudhe është menduar edhe për dy-tre përforcime të reja.

Nga faza e tretë e deri në mbyllje të kampionatit, cili do të jetë synimi final i Luftëtarit?
-Synimi afatshkurtër do të jetë largimi nga zona e ftohtë për mbijetesë, sepse skuadra ka mundësi që të reagojë më mirë se në dy fazat e para. Dhe mandej, synimi ynë do të jetë për më shumë se sa mbijetesa, një vend në mesin e tabelës së renditjes në fundin e kampionatit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *