Nesër në mbrëmje nisin emocionet e Champions Ligës dhe dy përballjet e mbrëmjes po priten me interes. Roma pret Porton në “Olimpico”, ndërsa Mançester Junajtid dhe PSG janë gati për të zhvilluar një ndeshje të madhe midis tyre.
Lorent Blank i njeh mirë të dy ekipet: me anglezët ka luajtur për dy sezone, ndërsa PSG e ka drejtuar nga stoli për tre sezone. Ish-mbrojtësi ka analizuar duelin që do të zhvillohet në “Old Trafford”, duke treguar pikën e dobët të PSG.
Blank flet dhe për interesimin e “Djajve të Kuq” kur ishte në stolin e PSG, por anglezët vendosën më pas t’i besonin stolin holandezit Van Gal. Në fund dhe një koment për punën e mirë që po bën Ole Gunar Solskjaer me Mançester Junajtid.
PSG – “Çdo vit bëhet i njëjti diskutim nëse ky është viti i duhur për PSG për të triumfuar në Champions, por klubet e mëdha mendojnë të njëjtën gjë dhe kanë shumë eksperiencë. PSG duhet të jetë në 100% të formës për të fituar, por e pengon diçka. Në kampionatin francez nuk ka rivalitet për ta dhe ekipi i Tuhel zotëron topin me një mesatare prej 70% për ndeshje. Kjo gjë i pengon ata të përgatiten për lojën pa top dhe u humbet intensitetin në minutat e fundit të ndeshjeve. PSG ka nevojë për më shumë rivalitet në kampionat për të përballuar ekipet e Champions Ligës.”
GUXIMI – “Në shkurt ka përfunduar kampionati për PSG dhe të gjithë e dinë se kush do e fitojë titullin në Francë. Kjo gjë u jep mundësinë lojtarëve të pushojnë, por ekipi duhet të vazhdojë të luajë fort. Ekziston rreziku i ndonjë dëmtimi, por është një rrezik që duhet marrë përsipër.”
JUNAJTID – “Ata më negociuan, por isha pjesë e PSG dhe ishte e vështirë. Ne i mbajtëm kontaktet, por në fund ata vendosën t’i besojnë pankinën Luis Van Galit.”
SOSLKJAER – “Ndryshimi në ekip u pa që dy ditë pas ndërrimit të trajnerit. Lojtarët po luajnë në grup tashmë dhe nuk janë më individualistë. E respektoj Murinjon, ai është një trajner i madh, por futbolli, ashtu si shoqëria, ndryshon. Ti nuk mund të menaxhosh një ekip ashtu siç ke bërë para dhjetë vitesh. Të duhet ta kuptosh se futbollisti është më i rëndësishmi. Solskjaer e ka kuptuar këtë gjë, ai e njeh mirë klubin dhe rëndësinë e Junajtid dhe merret me gjithçka në anën njerëzore në fillim.”