Juventus luan në transfertë me Frozinonen të dielën në mbrëmje dhe trajneri Alegri ka folur në konferencën për shtyp për ndeshjen në fjalë. Trajneri i bardhezinjve ndalet te besimi ndaj Kristiano Ronaldos, forma e skuadrës dhe alternativat e shumta, argjentinasi Dibala dhe situata e Dagllas Kostës.
RONALDO – “Kristiano Ronaldo është lojtari më i fortë në botë së bashku me Mesin dhe për ne është një vlerë e shtuar. Ka shënuar vetëm dy gola, por ka gjuajtur shumë drejt portës dhe ka patur shumë raste. Jam i kënaqur me të, por skuadra ka një fizionomi loje dhe në vitet e fundit ka arritur rezultate të rëndësishme. Jam i sigurtë që do të bëjë një ndeshje të mirë, si ajo që zhvilloi në Champions. Pritshmëritë ndaj tij janë të mëdha, por Ronaldo kërkon shumë nga vetja dhe i duhet të zbresë në fushë, të argëtohet dhe të vazhdojë të shënojë.”
SITUATA E EKIPIT – “Ndodhemi në një moment të rëndësishëm të kampionatit. Frozinone ka luajtur mirë, kundër nesh do të bëjë ndeshjen e jetës dhe kanë një lojtar të rrezikshëm si Perika. Nuk duhet të ulim përqendrimin, pavarësisht se ka shumë entuziazëm dhe energji pozitive. Të mërkurën zhvilluam një ndeshje të bukur dhe kjo duhet të jetë normale për Juventusin. Duhet të arrijmë në sfidën direkte me Napolin në kushtet më të mira. Perin do të luajë të mërkurën përballë Bolonjës, ndërsa dikush do të pushojë nesër. Barzalji mund të rikthehet të mërkurën, De Shiljo do të kryejë disa kontrolle të martën për të kuptuar se në çfarë gjendje është, ndërsa Dagllas Kosta dhe Kedira do të rikthehen pas ndeshjeve të kombëtares.”
MBROJTJA ME TRE? – “Nesër mund të luajmë më tre mbrojtës dhe njëri prej Aleks Sandros, Kanselos dhe Kuadrados do të pushojë. Pjaniç, Emre Çan dhe Bentakur mund të luajnë së bashku, ndërsa Manxhukiç dhe Matuidi kanë nevojë të pushojnë, sepse janë të fundit që janë bashkuar me ekipin, por duhet të jem me fat për të kuptuar momentin për t’i lënë pushim.”
PAULO DIBALA – “Dibala mund të luajë pas sulmuesve, siç e bëri me Sasuolon, ose në sulm me dy anësorë të fortë në krah. Nesër do të luajë, është shumë i rëndësishëm për ne dhe e ka golin nëpër këmbë.”
DAGLLAS KOSTA -“Brazili nuk e ka grumbulluar, por ai nuk mund të luante me kombëtaren, sepse është i dëmtuar. Klubi e ka gjobitur dhe ai e ka kuptuar gabimin e bërë.”