Sulmuesi shkon në Serbi për terapi. Trajneri Daja ka gati rotacionin për ndeshjen e fundit të Europa League. Boshti ruhet, por ka ndryshime
Leonard Trebicka
Te Skënderbeu ridel në skenë “magjistarja”, fizioterapistja e famshme serbe Marjana Kovaçiç. Dhe këtë herë pacient i saj do të jetë sulmuesi Ali Soue, i cili pritet të udhëtojë drejt Serbisë për të filluar terapinë intensive, në mënyrë që të jetë gati sa më shpejt për trajnerin Ilir Daja. Sulmuesi kryesor i Skënderbeut ka pësuar një tërheqje muskulore të gradës së parë në kofshën e djathtë i duhen jo pak ditë për t’u riaftësuar. Por mungesa e gjatë e tij i prish punë ekipit dhe drejtuesit e klubit kanë vendosur ta nisin për në Serbi. Nuk dihet saktë kur lojtari do të udhëtojë për në Beograd, pasi drejtuesit e Skënderbeut po kontaktuar me Marjanën, e cila lëviz shpesh për shkak të impenjimeve të saj të punës. Nëse përgjigja do të jetë pozitive, Soue është gati të udhëtojë që sot drejt Serbisë dhe pas terapisë të bashkohet me ekipin. Ndeshja e radhës luhet të enjten dhe ka kohë deri atëherë, por Marjana mund ta bëjë gati në kohë rekord. Megjithatë, ai nuk do të rrezikohet, por do të ruhet për takimin e kampionatit ndaj Laçit. Skënderbeu ka një përvojë tashmë me serben e famshme, ku janë rikuperuar më parë në kohë rekord lojtarë si Latifi, Osmani, Salihi dhe Mici e ndonjë tjetër. Prandaj edhe në rastin e sulmuesit Ali Soue i besohet kësaj fizioterapisteje. Sulmuesi nga Gambia mungoi ndaj Kukësit, por nuk mund të humbasë takimin e radhës në kampionat ndaj kurbinasve. Në Zvicër është e sigurt se nuk do të sakrifikohet. Deri tani Soue ka luajtur 963 minuta dhe ka shënuar 4 gola për Skënderbeun në kampionat. Ai erdhi në Korçë në merkaton e verës dhe pas paraqitjes së mirë me korçarët vlera e tij është rritur ndjeshëm, nga 325 mijë euro, në 550 mijë euro.
ROTACIONI NË ZVICËR – Skënderbeu mbyll të enjten ndeshjet europiane. Luan në fushën e Jang Bojs, ku rezultati pozitiv i vlen rritjes së koeficientit të Skënderbeut, kështu që ndeshja është vlerësuar, siç tha dhe vetë trajneri Ilir Daja pas ndeshjes me Kukësin. Por ai pohoi gjithashtu se nuk ka nevojë të sakrifikohen lojtarë me shumë minuta në këmbë, përderisa çështja e kualifikimit është mbyllur. Kështu, të enjten do të ketë rotacion. Boshti i skuadrës do të ruhet, por do të ketë emra të rinj në fushë. Me shumë gjasa, njëri prej tyre do të jetë Suad Sahiti, i cili mendohet ta nisë titullar. Trajneri Daja është duke menduar më shumë për ndeshjet e kampionatit, ndërsa sfida e Europa League me Jang Bojs do të jetë një “vitrinë” për disa lojtarë të rinj, që Skënderbeu kërkon t’i afirmojë. Mbetet për t’u parë cilët do të jenë këta lojtarë, por emra si Vangjeli, Lilaj, Mici, Jashanica, Nimaga apo edhe Xhejms, do të jenë në fushë nga minuta e parë të enjten.