Aleksi: Të mos jemi euforikë, Kamzën duhet ta mundim patjetër

 

Mesfushori i Luftëtarit gjykon se ruajtja e boshtit të sezonit të kaluar e bën ekipin të luajë mirë dhe të marrë pikë

Gëzim Beqiri

Luftëtari, me 5 pikë pas 4 javëve të para të kampionatit dhe me një lojë të pëlqyeshme, edhe pse skuadra është grumbulluar me shumë vonesë për nisjen e përgatitjeve, premton të bëjë një sezon më të mirë se ai i fundit. Ajo që ka demonstruar skuadra në këto ndeshje jep besim për një Luftëtar më efikas në vazhdim. Natyrisht, kontribut kanë të gjithë aktorët e ekipit gjirokastrite, duke nisur nga mbrojtja, që është edhe reparti më i dalluar deri tani, për të vazhduar me mesfushën dhe sulmin.

Albano Aleksi, mesfushori 25-vjeçar i Luftëtarit, lojtar që dallohet për shpirtin e lartë të garës, për ecurinë e deritanishme shprehet kështu për “Sport Ekspres”: “Luftëtari ka ruajtur boshtin e sezonit të fundit dhe mendoj se ky është çelësi i triumfit të ekipit tonë. Pesë pikët e grumbulluara në përballjet e luajtura mes 10 ekipeve që militojnë në Superiore janë tregues i punës dhe përkushtimit tonë. Nuk duhet të shfaqemi  euforikë, përkundrazi të tregohemi të kujdesshëm në rrugën e gjatë dhe të vështirë të këtij kampionati. Qëndrimi në Superligë dhe përfaqësimi me dinjitet në Kupën e Shqipërisë janë objektiva parësorë. Jemi të vendosur për ta përgatitur sa më mirë   ndeshjen e Kamzës. Ballafaqohemi me një kundërshtar, që ashtu si dhe ne synon qëndrimin në Superligë, kështu që duhet të fitojmë patjetër, sepse luajmë në fushën tonë”. Gjirokastritët, nën drejtimin e dyshes Fernandez-Curbelo, vijojnë përgatitjet për sfidën e 12 tetorit me qëllimin e vetëm marrjen e tri pikëve në shtëpi, që do të ishin të parat për këtë fazë të parë në stadiumin e Gjirokastrës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *