Një tris për të harruar humbjen në Superkupë me Lacion, një “tris” për t’u rinisur me këmbën e duhur në kampionat. Masimiljano Alegri nuk ka sesi të mos jetë i kënaqur nga fitorja ndaj Kaljarit. “Djemtë janë treguar të aftë. Duke parë faktin se është fillimsezoni dhe që mungon pak shkëlqim, aq më tepër kur vinim nga një humbje, kemi bërë mirë. Sigurisht duhet të përmirësohemi, por do ta bëjmë me qetësi. Kur skuadra punon e gjitha bashkë në fazën mbrojtëse është e vështirë që të na godasin portën. Kemi vuajtur në disa raste, por, në fund të fundit kemi arritur që të mos ndëshkohemi. Mbrojtja? Nuk kemi Bonuçin që të pasojë nga 40 metra, por në dalje lojtarët që kam janë të aftë”.
VAR — Ndeshja është karakterizuar nga penalltia e Kaljarit, e akorduar falë VAR-it. “Nuk e komentoj këtë vendim, siç nuk kam komentuar futjen në Serinë A të teknologjisë. Ajo që mund të them është vetëm se jemi me fat që kemi Bufonin në portë. Është ende më i miri. Një minutë e gjysëm për të vendosur? Do të thotë se do ta përdorim herën tjetër si një “time out” në basketboll”.
TË RINJTË – Ndaj sardëve ka qenë edhe debutimi për “të rinjtë” Matuidi dhe Dagllas Kosta. “Ndryshimet kanë ndikuar shumë, qoftë ai i Matuidisë, ashtu edhe ai i Dagllas Kostës, pastaj nuk ndryshon asgjë nëse luajmë me dy apo me tre në mesfushë. Manxhukiç? Në zonë është lojtar i rëndësishëm. Ka fizik, por më nxeh vetëm kur nuk është në ditën e tij”.