Juve nuk ndalet, fitore edhe në Parma dhe kryesim me pikë të plota pas tre ndeshjesh. Megjithatë, sërish suksesi u arrit me vuajtje dhe Parma rrezikoi shpesh, përveçse shënoi, shenjë se kampionët e Italisë nuk janë më maksimumin e formës.
Megjithatë, trajneri Maks Alegri pas ndeshjes ishte i kënaqur: “Djemtë u treguan të shkëlqyer, në Parma është gjithnjë e vështirë, kundër një skuadre që lufton për mbijetesë dhe na rrezikoi me kundërsulme në pjesën e parë. Fitore e merituar, por duhet shumë punë”.
Ronaldo nuk shënoi dot as këtë radhë: “Futbolli italian është i vështirë, nuk shënohen dot 40 gola në sezon. Ronaldo luajti një ndeshje të mirë, por është një moment paksa negativ për të, por nuk është në krizë. Ka momente kur topi nuk hyn për milimetra, në këtë moment nuk po e ndihmon as fati, por pas ndeshjes ishte në humor të mirë”.
Po Dibala, që nuk po luan më titullar? “Është bashkuar në fund me ne, por po arrin pak nga pak formën maksimale. U fut dhe nuk gaboi asgjë, jam i kënaqur prej tij. Mund të luajë në formacion me Ronaldon”.