Juventusi nuk është se mahniti, por në fund doli me 3 pikë nga fusha dhe në Itali nuk ka rivalë. Torino tentoi në çdo mënyrë, ndoshta meritonte një penallti, por nuk ia doli dot kundër Ronaldos me shokë.
Një paraqitje që duket si provë pjekurie, për trajnerin bardhezi Maks Alegri, i cili pas ndeshjes komentoi në Sky Sport: “Ndeshja ishte e ekuilibruar, në pjesën e dytë ata ranë fizikisht dhe përfituam. Shihej qartë që goli ishte në ajër. Morëm një fitore në transfertë, në një fushë të vështirë, u bëj komplimente djemve, sepse treguan se janë të pjekur.
“Asnjë zëvendësim? Në pjesën e parë luajtëm pak dhe skuadra ishte mirë, nuk kishte arsye pse të bënim ndryshime. Jam i lumtur, sepse nuk pësuam gol dhe e kontrolluam ndeshjen, edhe për faktin se mesfushorët punuan shumë mirë.
“Si ta stimuloj ekipin? Për të mos u thënë ndonjë budallallëk, po i lë pushim dy ditë. Renditja e vërtetë do shihet më 29 dhjetor. Në këtë moment ata që do duhet të bëjnë diferencën janë lojtarët që janë luajtur më pak. Champions? Nuk më intereson shorti, janë të gjithë njësoj, rëndësi ka që të jemi në formë maksimale në mars”.