Alegri: Renditja e Romës gënjeshtër, ja sa pikë na duhen për titullin

Juventus pret Romën të shtunën në mbrëmje në një ndeshje të fortë dhe spektakolare. Bardhezinjtë e Alegrit kërkojnë fitoren për të vazhduar marshimin drejt titullit kampion, ndërsa ekipi i Di Françeskos dëshiron të bëjë një ndeshje të madhe dhe të mos dalë pa pikë.

Maks Alegri ka folur në konferencën për shtyp, duke folur për takimin, ekipin kundërshtar dhe formacionin që do të hedhë përballë verdhekuqve. Trajneri i Juventusit ndalet dhe te biseda me Anjelin dhe Moxhin, si dhe tregon minimumin e pikëve për t’u shpallur kampion.

ROMA – “Nuk duhet të mashtrohemi nga renditja e Romës, që është një skuadër plot kualitet. Nëse nuk e kemi qasjen e duhur në ndeshje, mund të na bëjnë keq, kështu që dua që të sulmojmë menjëherë. Ronaldo do të luajë, më pas do të vlerësoj nëse do të pushojë me Atalantën, apo Sampdorian.”

RROTACIONI – “Kanselo ndodhet mirë pas operacionit. Bonuçi ka luajtur shumë se të gjithë, kështu që nesër do të luajë Benatia. Kielini do të jetë në formacion, por do të qëndrojë pushim në ndeshjen e fundit të vitit. Aleks Sandro është më i qetë pas rinovimit të kontratës dhe jam i lumtur, sepse nuk ka shumë lojtarë si ai. Në mesfushë do të luajë Pjaniç. Askush nuk e ka ritmin e boshnjakut për të mbajtur ritmin e skuadrës. Emre Çan dhe Bentakur duhet të rriten në mënyrë që t’i japin shpejtësi manovrës tonë. Në pankinë do të jetë Kedira, i cili ka avancuar më shumë se sa mendohej. Në sulm nuk e kam vendosur akoma për Bernardeskin, Dagllas Kostën dhe Dibala.”

MERKATO DHE TITULLI – “Nuk shkëmbyem letra me Anjelin gjatë mbrëmjes së urimeve. Ne shprehëm vetëm urime, skuadra është konkuruese dhe duhet të arrijmë rezultate nëpërmjet lojës së mirë. Kjo është gjithçka që vlen. Moxhi? Fola 3 minuta me të dhe shkëmbyem urime për vitin e ri. Titulli? Nevojiten 87-88 pikë, maksimumi 90 pikë për të fituar titullin.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *