Juventus i rikthehet kampionatit dhe do të udhëtojnë drejt transfertës së Empolit. Në konferencën për shtyp para ndeshjes të së shtunës, Maks Alegri ka folur për fitoren kundër Junajtid në Champions dhe formacionin që do të hedhë nesër.
Trajneri i bardhezinjve nuk dëshiron më hapa flas në kampionat, ndërsa iu kujton të tijve barazimin kundër Xhenoas. Lojtarët u treguan pula kundër Xhenoas dhe kjo gjë nuk duhet përsëritur. Alegri nuk e fsheh objektivin e klubit, që është fitimi i Champions-it.
EMPOLI – “Vijmë nga një fitore e bukur kundër Mançester Junajtid, por dhe nga barazimi në kampionat përballë Xhenoas. Nuk mund t’i lejojmë vetes të humbasim më pikë. Do të jetë një ndeshje e komplikuar me Empolin, kemi bërë mirë në kampionat deri tani, ndërsa Xhenoa na nxori jashtë ndeshje. Ata u treguan të aftë, ndërsa ne u treguam pula. Në Champions është më e lehtë, sepse ka më shumë hapësira, kemi shumë teknikë në ekip dhe arrijmë ta shfaqim atë. Nesër duhet të fitojmë me patjetër.”
SULMI – “Ronaldo ndihet mirë, do të luajë nesër dhe të shohim më vonë nëse do të pushojë. Dibala? Po kalon një moment të mirë fizik dhe psikologjik. Nuk është akoma në formën e tij më të mirë, por e ka golin në këmbë dhe kjo është e rëndësishme për ne.”
FORMACIONI – “Duhet të jemi më të rafinuar në pasimin e fundit. Krijojmë shumë, por shënojmë pak gola. E kam gjithmonë të vështirë të zgjedh mbrojtësit titullarë. Kam pesë qendërmbrojtësa, të cilët janë ndër më të mirët në qarkullim. Rugani nuk ka shumë eksperiencë dhe penalizohet për këtë fakt, por ai është e ardhmja jonë. Aleks Sandro zhvilloi një nga ndeshjet e tij më të mira kundër Junajtid. Nuk e di nëse Dagllas Kosta do ta nisë nga fillimi, sepse mund të luajmë me tre mesfushorë. Kedira do të kryejë testet të hënën, ose të martën, për të tentuar rikthimin në grup. Sa i përket Emre Çan, mendoj se mund të jetë nevoja e një ndërhyrje kirurgjikale.”
CHAMPIONS – “Drejtuesit kanë bërë blerje të shkëlqyera. Ronaldo ka rritur ndërgjegjësimin e vetëbesimin e të gjithëve. Kur të tërhiqem nga futbolli, do ta kujtoj fitoren në ‘Old Trafford’ si shumë fitore të tjera, por unë nuk krahasohem me Guardiolën dhe Ançelotin në nivelin e Champions. Kemi humbur dy finale dhe shpresojmë që ky të jetë viti i duhur. Marota? I dërgoj urimet më të mira kudo që të shkojë. Ka qenë arkitekti i sukseseve tona bashkë me drejtuesit e tjerë. Ka nisur një epokë e re me njerëz, të cilët, gjithashtu, kanë shkruar historinë e Juventusit.”