Zënka mes Alegrit dhe analistit dhe ish futbollistit, Adani nuk ka marrë fund akoma. Pas ndeshjes së Interit dhe bardhezinjve, të përfunduar me rezultatin 1-1, të dy patën një debat aspak konstruktiv me njëri-tjetrin. Adani e konsideroi si fajtorin kryesor Alegrin për eliminimin në Champions.
Trajneri i Juves ju kthye në mënyrë të ashpër, duke i thënë se duhet ta mbyllë gojën, pasi po flet me një trajner që ka fituar shumë tituj. Alegri i tha Adanit se ai vetëm di të flasë edhe pse nuk ka qenë kurrë një trajner. Më pas kreu i stolit bardhezi hoqi kufjet dhe u largua.
Një ditë më pas ka reaguar përsëri Adani. Këtë herë i është përgjigjur me të njëjtën monedhë Alegrit. Ish lojtari i Interit e etiketon sjelljen e trajnerit si arrongante dhe të vrazhdë. Ai tha se nuk mund ta blesh Ronaldon për të mundur Kievon, por për të sunduar në Evropë. Adani u shpreh se çdokush mund të ketë mendime të ndryshme, por kurrsesi nuk duhet të përfundohet duke u shmangur nga biseda në një mënyrë të tillë.
“Thuhet se një analist si unë duhet të jetë detyrimisht trajner. Nuk jam trajner sepse kam zgjedhur një rrugë tjetër. Mendoj se një trajner i madh duhet të jetë një specialist i zoti. Alegri nuk e mori Ronaldon për të fituar kampionatin apo për të mposhtur Kievon. Portugezi erdhi për të vënë diktatin në Evropë. Alegri u tregua i vrazhdë dhe i pasjellshëm, madje arrogant. Dy njerëz mund të kenë mendime të kundërta, por nuk mund ta ndërprisni bisedën duke hequr mikrofonin. Është hera e dytë me mua. Unë argumentoj punën e Alegrit për tifozët dhe ai përfundon bisedën duke u larguar”, u shpre Adani.