Demetrio Albertini, një ndër ikonat e futbollit italian në vitet ’90, ka folur për Corriere della Sera, duke u ndalur te jeta e tij pas futbollit dhe te projektet e tij të reja, por ndërkohë ka folur edhe për Milanin, natyrisht, duke qenë se ngjyrat kuqezi kanë qenë dhe mbeten pjesë e rëndësishme e jetës së tij.
“Milani ka nevojë për durim dhe pak kohë. Edhe në sezonin 1998-99 vinim nga dy sezone shumë të dobëta. Erdhi Zakeroni, nisëm një rrugëtim të ri, luanim me 3 mbrojtës dhe u nisëm me synimin e vetëm që të ktheheshim në Champions League, por pak nga pak u përmirësuam. E fituam kampionatin me një sprint final të jashtëzakonshëm, 7 fitore rresht në fund, sepse nuk u kënaqm me pak, nuk ecëm me idenë “është viti i rindërtimit, nuk ka rëndësi nëse humbasim”. Kishim mentalitet fitues, ai që duhet t’i japë Montela skuadrës”, thotë Albertini.
Në lidhje me kritikat për Montelën, ish-mesfushori i famshëm thotë: Duhet vlerësuar puna e tij, jo thjesht rezultatet. Merkatoja e Milanit? Për të arritur sukses nevojitet merkato e mirë, por nuk mjafton kaq. Interi, për shembull, tani po merr shumë lëvdata, por ka fituar disa ndeshje në minutat e fundit, sepse përndryshe tani nuk do flisnim kështu. Është ende herët për të gjykuar mbi merkaton dhe shpenzimet e Milanit, skuadra është ende kantier i hapur dhe Montela po provon gjëra të reja në çdo ndeshje. Bonuçi? Po paguan ndryshimin: sezonin e shkuar kishte siguri në lojën e skuadrës ku ishte, tani duhet t’i krijojë ai. Shiriti i kapitenit nuk është i parakohshëm, sepse klubi dëshironte t’ia jepte një lojtari që merr përgjegjësi mbi vete, pastaj Bonuçi është titullar,kusht i rëndësishëm për të marrë shiritin”.
Gjithsesi, Albertini kërkon vetëm diçka nga Milani, ashtu si tifozët: “Për të avancuar qetësisht, duhen fitore, pikë. Nuk ka nevojë për justifikime, Milani është klub i madh dhe nuk duhet të ndalet në objektivat e vet, llogaritë bëhen në fund. Nëse vijnë humbje, duhen administruar sa më mirë”.