Trajneri Daja me 15 lojtarë në stërvitje, pasi bardhekuqtë i ka kapur viroza. Shpresohet që deri të shtunë të rikthehen të gjithë
Sikur të mos mjaftonin hallet e shumta që e kanë zënë Skënderbeun, nga fjalët që vijnë nga UEFA, përpara një ndeshjeje të rëndësishme si kjo ndaj Partizanit, te bardhekuqtë i ka kapur viroza gripale. Në fakt, ka disa ditë që disa lojtarë kanë pasur problem me virozën, ndërsa dje ata janë shtuar shumë.
Trajneri Ilir Daja është vënë në vështirësi, pasi ka parë në stërvitje 15 futbollistë. Emiljano Vila, Sabjen Lilaj, Gjergji Muzaka, Leonit Abazi, Gledi Mici dhe Kristi Vangjeli, të gjithë me probleme pak ditë përpara Partizanit. Ndoshta sot mund të kemi edhe ndonjë emër tjetër me regjim shtrati. Të gjithë këta lojtarë nuk kanë dalë dje në stërvitje. Vetëm Kristi Vangjeli ka tentuar, por nuk ka arritur ta mbyllë stërvitjen, për shkak se ka ndjerë probleme me frymëmarrjen. Vangjeli mungoi në ndeshjen e fundit, pasi ishte i pezulluar, por njëkohësisht ishte duke kaluar edhe virozën i pari.
Në momentin e parë u duk se Vangjeli e kaloi, por ka frikë se mund t’i rikthehet, prandaj dje e ka mbyllur para kohe stërvitjen. Nuk janë pak, por 6 lojtarë, ndaj dhe trajneri Daja është më i shqetësuar se kurrë më parë. Bardhekuqtë janë në përgatitjet e fundit dhe nuk dihet se kur mund të kthehen. Ndoshta sot mund të kemi ndonjë rikthim, por viroza është bërë një problem e madh këto ditë tek ekipi korçar. Stafi mjekësor po punon maksimalisht për të kthyer futbollistët sa më shpejt në fushë. Lilaj, Muzaka, Vangjeli, Mici, Abazi dhe Vila po shqetësojnë shumë stafin teknik, por dhe tifozët, sepse përpara është sfida me të kuqtë.