Bërnlei u mposht në Greqi përballë Olimpiakos në ndeshjen e parë të turit “play-of” të Europa Ligës. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-1, ndërsa në të dytën grekët shënuan dhe dy herë të tjera duke fituar me rezultatin 3-1. Trajneri i ekipit anglez ka qenë dëshmitar i një skene gjatë pushimit të ndeshjes.
Lojtarë të Olimpiakosit dhe persona të tjera kanë rrethuar arbitrin slloven, Sllavko Vinçiç duke protestuar dhe ankuar për vendimet e tij. Ai i ka larguar për një moment, ndërsa gjatë pjesës së dytë, Vinçiç akordoi një penallti për Olimpiakos dhe ndëshkoi Gibson të Bërnleit me karton të kuq. Grekët shënuan golin e tretë, ndërsa anglezët luajtën me një lojtar më pak për 30 minutat fundit të ndeshjes.
“Ajo çfarë pashë në tunelin e stadiumit është një fakt dhe jo një opinion. Arbitri u rrethua nga shumë persona dhe mendoj që kjo ndikoi në pjesën e dytë”, zbulon Shon Dyche. Klubi anglez doli dhe në një komunikatë, ku deklaroi se pesë prej fansave të tyre u sulmuan dhe pësuan dëmtime, ku njëri prej tyre u godit me thikë në këmbë. Ai u detyrua të merrte mjekim në stadium. Ndeshja e kthimit është mbas një jave dhe Bërnlei do tentojë të kthejë rezultatin për t’u kualifikuar në fazën e grupeve të Europa League.