Akuzat për Firat, Vllaznia: Po sulmohet nga të gjitha anët, ja e vërteta

0

Në Shkodër u pëlqen të punojnë “nën rrogoz” dhe është thënë e stërthënë për presionin që ekziston në atë klub. Një ditë më parë ka qarkulluar një lajm, ku thuhej se drejtori i ri sportiv, Engin Firat, nuk kishte licencën përkatëse. Kjo është hedhur poshtë nga klubi shkodran sot.

REAGIMI –  “KF Vllaznia sh.a konstaton se që prej momentit të emërimit të z. Engin Firat në postin e drejtorit sportiv të klubit tonë, në adresë të tij ka patur sulme nga më të ndryshmet. Më së fundmi, në media pretendohet se nuk ka licencën e duhur për të kryer këtë funksion.

KF Vllaznia sh.a bën të ditur se që përpara zyrtarizimit të tij në këtë post, ka komunikuar me FSHF-në prej së cilës ka marrë konfirmimin se me liçensat që z. Firat disponon, ka të drejtë të kryejë funksionin e drejtorit sportiv. Licencat dhe kualifikimet që ai disponon dhe që KF Vllaznia i ka bërë publike në momentin e emërimit të tij, ia bëjnë të mundur kryerjen e të gjitha detyrave që përfshin ky post, duke futur këtu menaxhimin sportiv të klubit, hartimin e politikave sportive, drejtimin e Akademisë, madje edhe futjen në dhomat e zhveshjes në ndeshjet zyrtare dhe “pengesa” e vetme është pamundësia për të qëndruar në pankinë gjatë zhvillimit të ndeshjeve zyrtare. Një gjë e tillë sigurisht që nuk është e nevojshme sepse njeriu që qëndron në pankinë është trajneri.

Në këto rrethana, KF Vllaznia kërkon nga ana e mediave dhe gjithë opinionit sportiv mirëkuptim për të na lejuar të vazhdojmë punën që kemi nisur”, shkruhet në reagimin e klubit shkodran.

ZYRTARIZIMI I BEQIRIT – “Stafi i ekipit të parë të KF Vllaznia që prej pasdites së djeshme është plotësuar në organikë. Pak ditë më parë, krahas trajnerit Hasan Lika nisi punën edhe trajneri i portierëve Ideal Lekiqi ndërkohë që tashmë është emëruar në rolin e zëvendëstrajnerit një emër shumë i njohur për klubin tonë por edhe më gjerë, Elvin Beqiri. KF Vllaznia i uron mirëseardhjen sërish në shtëpinë e tij dhe njëkohësish i uron suksese në detyrën që ka marrë përsipër bashkë me trajnerin Lika për të rikthyer skuadrën tonë aty ku i takon. Shpresojmë që Beqiri me eksperiencën e tij si futbollist por tashmë edhe si trajner, të jetë një nxitje për pjesëtarët aktualë të Vllaznisë”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.