Vazhdojnë akuzat mes avokatëve të Kristiano Ronaldos dhe gazetës gjermane “Der Spiegel”, sa i përket çështjes “Majorga” dhe akuzave të modeles amerikane për përdhunim nga ana e sulmuesit të Juventusit.
Përfaqësuesit ligjorë të lojtarit të Juventusit pretendojnë që dokumentet e cituara nga e përjavshmja gjermane ishin të manipuluara, ose gjithçka ishte ndërtuar nga zero.
“Një haker ka tentuar të shesë të dhënat pas një ndërhyrje në bazën e të dhënave të departamentit ligjor. Një mjet komunikimi, në mënyrë të papërgjegjshme, ka publikuar pjesë të rëndësishme të këtyre të dhënave të vjedhura, të cilat janë ndryshuar, ose janë krejtësisht të ‘shpikura’”, shprehet Piter Kristiansen, avokati i lojtarit portugez.
“Der Spiegel” ka reaguar, duke pretenduar se të gjitha dokumentet dhe provat “janë autentike”. “Nuk kemi asnjë arsye të besojmë se ato dokumente nuk janë autentike. Kemi kontrolluar me kujdes informacionin tonë, duke i nënshtruar për shqyrtim dhe nga këndvështrimi ligjor” sqaron dhe thekson gazeta gjermane.