Luftëtari, pas fitores me Laçin në shtëpi, do të udhëtojë drejt Vlorës me synimin për të marrë pikë edhe ndaj Flamurtarit. Sot ka dalë para mediave trajneri Julian Ahmataj, i cili kërkon angazhim nga futbollistët e tij.
“Duhet t’i luajmë ndeshjet dhe të japim maksimumin. Askush nuk futet në fushë për të humbur. Nuk i mendoj pikët para ndeshjes. Atë që jep në fushë merr. Kjo duhet ngulitur në kokën e lojtarëve. Vetëm me këtë mentalitet ecet përpara”, është shprehur Ahmataj.
Nesër bluzinjtë përballen me Flamurtarin, ndërsa në mesjavë është radha e gjysmëfinales së parë të Kupës së Shqipërisë. Luhet kundër Tiranës dhe për trajneri e Luftëtarit është me rëndësi të menaxhohet grupi i lojtarëve. Në Vlorë mungon Koconis dhe Ramadani i dëmtuar, ndërkohë që shpresohet të mos ketë probleme në vazhdim.
“Duhet të menaxhojmë lojtarë, tani është me rëndësi të mos kemi dëmtime. Mungesat do ndikonin edhe në cilësinë e lojës së skuadrës. Na ka ndodhur me Ramadanin. Kemi pasur edhe dëmtime të tjera, por ato kanë qenë të lehta. Ne do japim maksimumin, pastaj flet fusha”, u shpreh trajneri i Luftëtarit.