Kapiteni i kombëtares sonë flet pas kualifikimit historik me Karabakun në grupet e Champions League dhe u jep një këshillë klubeve shqiptare…
Në “Hall of Fame”! Shqiptari Ansi Agolli do të luajë në fazën e grupeve të Champions League. Një arritje gjigante e “djaloshit” model nga Tirana, që në fillimet e shekullit të ri nisi karrierën e tij futbollistike. Ka kaluar shumë kohë prej “epokës” bardheblu. Tani është një histori tjetër, sepse pasi ka shijuar tituj, kupa, kualifikime grupesh në Europa League, apo Euro 2016-ën me Shqipërinë, ndërkohë që të mërkurën ka prerë një tjetër “finish të madh”. Me Karabakun e tij, Ansi ka “shënuar” emrin e tij në “murin” e të mëdhenjve shqiptarë që do të luajë në Champions. Dhe të thuash që ai ia doli, jo me Marsejën, apo ndonjë skuadër tjetër, por me Karabakun nga Azerbajxhani i largët. Agolli, tani kapiten i kombëtares shqiptare rrëfen atë që ka arritur të mërkurën në mbrëmje në Kopenhagen. Një “ëndërr” që ka magjepsur të gjithë skuadrën e vogël azerbajxhanase, që besoi dhe ia arriti: Të ishte aty me më të mëdhenjtë e Europës, Çelsin, Romën e Atletikon.
Këtë herë do të luajë kundër “yjeve”, por Grizmani e ndonjë tjetër, Ansin nuk e tremb. Edhe më parë është përballur me ta, ndonëse këtë herë “përplasja” do të jetë speciale, pasi grupet e Championsit janë “ajka” e futbollit evropian. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, kapiten Agolli zbulon se si ekipi i vogël ia doli të jetë me skuadrat e milionave dhe si klubet shqiptare duhet të gjejnë rrugën drejt suksesit. Një urim edhe për skuadrat shqiptare dhe Skënderbeun që mbrëmë sërish bëri mrekullinë, duke qenë në fazën e grupeve të Europa Ligë. Ja intervista e plotë me Ansi Agollin…
– Hytë në histori me Karabakun pas kualifikimit ndaj Kopenhagenit. Na trego pak, si mund të realizohet diçka e tillë, a mjaftojnë investimet? Çfarë ka të veçantë Karabaku, që po ecën kaq mirë?
As diskutohet që investimet në futboll janë të rëndësishme. Japin garanci për skuadrën, por nuk mjafton vetëm kjo. Janë dy mundësi për të ecur në këto kompeticione. I pari është investimi me shifra marramendëse, duke blerë lojtarë të shtrenjtë në mënyrë që të bëjnë diferencën dhe të japin rezultat sa më shpejt. Mënyra tjetër është të krijosh një skuadër, ku forca kryesore të jetë grupi. Jemi skuadra me buxhetin më të vogël në fazën e grupeve. Kjo, sepse nga klubi ynë është zbatuar një projekt afatgjatë, që ka nisur para disa viteve dhe hap pas hapi ka marrë frytet e veta. Ndeshja e djeshme ishte “qershia mbi tortë”, edhe pse asgjë nuk ishte e lehtë.
– Klubet shqiptare, ku çalojnë sipas jush, që ende nuk i ëndërrojnë grupet në Champions?
Nuk mund të themi që të gjitha klubet nuk po ecin. Për shembull kemi Skënderbeun, që me një buxhet modest kapi “play-off”-in e Europa Ligës dhe kjo nuk është pak. Për të arritur në Champions, duhet edhe pak më shumë investim. Po ashtu edhe pak më shumë fat në short. Mendoj se klubet shqiptare duhet t’i përkushtohen me më shumë profesionalizëm kompeticioneve europiane dhe duhet të kenë më shumë durim. As diskutohet, që kampionati është kryesori, por suksesi në kompeticionet europiane të rrit nga ana ekonomike, ndaj dhe ky duhet të jetë synim më vete! Jam i sigurt që Skënderbeu do të kualifikohet për në grupe, ja shembulli për klubet shqiptare (shënim: intervista u bë në pushimin e ndeshjes Skënderbeu-Dinamo).
-Si funksionon, a kishit ndonjë premtim të veçantë nga klubi?
Në të tilla raste nuk ka nevojë për karikim nga klubi. Është një shans historik, që të jep një vetë motivim!
-A e di që je shqiptari më i suksesshëm në histori, për trofe, ndeshje europiane e suksesi europian?
Interesi i skuadrës është para interesit personal. Arritjet personale i mbaj për vete. Ato të skuadrës më japin më shumë emocione!
-Kaq vite në Azerbajxhan, e prisje?
Duke parë ecurinë e skuadrës nga viti në vit, të them të drejtën e prisja. Është bërë një punë mjaft profesionale nga i gjithë klubi, por në veçanti nga trajneri, Gurban Gurbanov. Në mos këtë vit, vitin që vinte isha i sigurt që do ndodhte(kualifikimi), por asgjë s’ka ndodhur pa stërvitje, pa sakrifica, pa zhgënjime. E rëndësishme është këmbëngulja dhe besimi që skuadra tregoi.
-Veteran në teori, por dukesh 10 vite më i ri. A do të të lëshojë më Karabaku, se ke kohë që thua se do luash në fundin e karrierës në Shqipëri? Mos kanë ndërmend të të mbajnë në klub edhe pas futbollit?
Atë nuk e parashikoj dot. Ajo që bëj unë është që të stërvitem sa më shumë e të luaj në ndeshje, si të jetë takimi i fundit. Forma fizike ka mjaft rëndësi në futbollin e sotëm, e unë mundohem ta ruaj, duke u stërvitur dita-ditës sa më mirë.
-Grupi më i frikshëm i Championsit. Çelsi, Atletiko e Roma. Një koment?
Besoj që grupi nuk ka nevojë për koment. Ne këto nivele çdo gjë vështirësohet. E rëndësishme është të përfitohet sa më shumë eksperiencë nga ky kompeticion i mrekullueshëm.