Seanca stërvitore e ditës së sotme te Vllaznia është anuluar dhe ajo është zëvendësuar me një mbledhje! Nën drejtimin e kryetares së Bashkisë, Voltana Ademi, kanë qenë trajneri Agim Canaj, Administratori klubit Suad Lici, si dhe drejtori sportiv Engin Firat që së bashku janë takuar për të diskutuar rreth këtij rasti të paprecedent.
Shkak i këtij anulimi ka qenë presioni i një dite më parë që kanë patur trajneri Agim Canaj dhe Administratori Suad Lici, nga persona jashtë skuadrës. Situata të tilla kanë qenë prezente te trajnerët e Vllaznisë, kur kujtojmë Ernest Gjokën në sezonin e kaluar.
Nga kjo mbledhje, mësohet se tekniku Canaj ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Vllaznisë, të cilën e mori vetëm një javë më parë. Në këto kushte presioni, ai e ka patur të pamundur vazhdimin e punës në stolin e skuadrës shkodrane, duke e lënë të “ftohtë” këtë stol që kërcënohet vit pas viti. Nga ana e klubi ti është kërkuar të vazhdohet.
Kujtojmë se ditë më parë ka qenë Kryebashkiakja e Shkodrës ajo që i ka kërkuar Kryeministrit Rama, të merren masa nga Policia e Shtetit për parandalimin e rasteve të dhunës e vrasjeve në këtë qytet. Tashmë është radha e “Policia që duam” për ta zbardhur këtë rast, i cili tregon situatën e pa stabilizuar që Shkodra po përjeton prej disa vitesh.