Afrimi më i fundit te Besa, zyrtarizohet mbrojtësi lezhjan

Pas ardhjes së Gugash Maganit në pankinën e Besës, lëvizjet në merkato kanë qenë të dukshme për emrat që janë afruar. Dhe në “rrjetën” e Maganit fillimisht kanë rënë Efijong Ejo, Sokol Mziu dhe Ervis Çaço, ndërsa i fundit që ka nënshkruar për verdhezinjtë është Sadush Danaj. Lezhjani ka qenë pjesë e Burrelit në gjysmën e parë të këtij sezoni, dhe performanca e tij duket se ka tërhequr vëmendjen e Bizhdilit e të Maganit.

Sadush Danaj është futbollist i dalë nga akademitë e futbollit në Lezhë, por 30-vjeçari në këtë karrierë ka luajtur edhe në Superiore me Vllazninë, Laçin e Tërbunin, ndërkohë që kjo është skuadra e tij e shtatë. Këto lëvizje tregojnë se vlerat e këtij futbollisti janë ende në nivele të mira, dhe stacioni i fundit te Besa ndoshta do të sjellë rikthimin e Danajt në Kategorinë Superiore.

Gjatë këtij muaji Besa ka afruar Ejoh, Mziun, Çaçon dhe Danaj është i katërti në listën e futbollistëve të afruar në këtë merkato, pa harruar trajnerin Gugash Magani. Në 14 javët e luajtura në Kategorinë e Parë të këtij sezoni, Besa renditet në vendin e dytë në Grupin B me 26 pikë, 4 pikë larg Bylisit të vendit të parë.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *