Kastrioti e mbylli gjysmën e parë të kampionatit në vendin e fundit, teksa panë dhe dy trajnerë t’u largoheshin, si Elvis Plori dhe Stavri Nica. Së fundmi, krutanët kanë marrë në krye të pankinës Bledar Devollin, një emër, i cili e njeh mirë futbollin në Shqipëri.
Pikërisht, tekniku nga Gjirokastra, ka folur për “RTSH Sport”, në lidhje me merkaton, ku pavarësisht refuzimit nga Pero Pejiç, duket se klubi ka dhe emra të tjerë në listë. Gjithashtu, Devolli foli dhe për objektivat e ekipit për gjysmën e dytë të sezonit.
“Do të bëjmë 4-5 përforcime që të kemi ekip konkurrues. Me punën tonë dhe me ndihmën e Zotit, shpresoj të dalim sa me shpejt nga kjo situatë. Kam 2-3 emra në mendje dhe shpresoj të marrim sa më shpejt lojtarët që kërkojmë. Në momentin që do të firmosin, vetëm atëherë do t’i quaj lojtarë të Kastriotit”,- tha Devolli.
Sot, në Krujë ishte i pranishëm dhe afrimi i më i ri, Edison Ndreca, i cili u takua me trajnerin Devolli dhe u prezantua me shokët e rinj të skuadrës.