Vetëm disa javë zgjati aventura e Afrim Takut te Skënderbeu. Mesfushori kryeqytetas erdhi në ekip, para se të nisnin ndeshjet europiane dhe dje është konfirmuar largimi i tij nga drejtuesit e klubit. Taku e kishte bërë të qartë se do të luante me Skënderbeun vetëm në Europë. Në fakt, korçarët vazhdojnë të jenë në Europa League, por për shkak se duhet të merret me dokumentet në Amerikë, që para një jave kishte bërë kërkesë për t’u larguar.
Natyrisht, nuk ka pasur asnjë pengesë nga ana e drejtuesve të Skënderbeut, të cilët e kanë falënderuar për kontributin e dhënë dhe i kanë uruar suksese. Taku luajti si zëvendësues, por edhe si titullar me korçarët në të djathtë të mesfushës. Ai mungoi në ndeshjen e fundit me Mlada Boleslavin, ndërkohë që trajneri Daja tashmë e ka të qartë se mesfushori nuk është më pjesë e grupit që ka në dispozicion. Taku ka familjen e tij në Amerikë dhe i duhet të shkojë shpesh atje, këtë radhë ndoshta për të mos u kthyer më, pasi mund të ketë gjetur edhe një ekip për të vazhduar karrierën e tij.