“Acarimi” i Alijevit dhe sulmi, Kukësi ka probleme me golat

Azerbajxhanasi nuk po arrin të përshtatet dhe ka treguar luhatje me karakterin. Guri, Bakaj dhe Kale duhet të zhbllokohen

Jurgen Zela

Natyrisht është shumë herët për të folur, ama sulmi i Kukësit duket se mund të ketë një problem të madh këtë sezon, golin. Nëse verilindorët nuk ishin të kënaqur me rendimentin e Pejiçit e të Eminit, çfarë mund të thonë për paraqitjet e Alijevit, e sa kohë mund ta presin? Azerbajxhanasi është afruar për të bërë diferencën, por deri tani nuk ka arritur të përshtatet me Shqipërinë dhe Kukësin, por ka edhe një problem. Alijev duket se ka një karakter të vështirë, pasi edhe në momentin e zëvendësimit e tregoi se ishte i pakënaqur me ndërrimin dhe e shfaqi edhe hapur duke reaguar ashpër. Milinkoviçi duket se do ta ketë të vështirë ta administrojë “yllin” e ekipit të tij.

ALIJEV – Azerbajxhanasi u la në stol në ndeshjen ndaj Kamzës për t’u rikthyer përsëri në formacion me Partizanin. Lojtari u mundua, por nuk arriti të shënojë. Alijev po vuan, jo pak, pasi ka vëmendjen e të gjithëve dhe vjen me statusin e “yllit”. Stoli ndaj Kamzës ishte për ta qetësuar atë, por edhe formacioni titullar i Partizanit e bëri më “agresiv”, fatkeqësisht më shumë me stafin e tij se sa me kundërshtarin. Gjici nuk është i lumtur me të, ky është problem, pasi është ai që mbush “xhepat” e Alijevit, që është ndër futbollistët më të paguar në skuadër. Një tjetër minus i madh për të.

SULMI – Me Partizanin pati një tjetër rreshtim. Alijev në majeë Bakaj pas tij, Guri në të djathtë dhe Kale majtas. Loja kishte më shumë rrjedhshmëri, pasi braziliani ishte më i rrezikshëm se Shtubina, ama rruga e rrjetës mund të jetë shqetësimi kryesor. Guri kishte një mundësi të artë dhe nuk e shfrytëzoi. Kale po ashtu, pasi i vetëm përballë portierit e nxori jashtë porte.

Bakaj dhe Alijev nuk arrinin të gjenin njëri-tjetrin, duke treguar se ekipi ka nevojë për më shumë kohë për të njohur njëri-tjetri.

GJUAJTJET NGA LARG  –  Një tjetër të metë që Kukësi ka shfaqur në këto dy javët e para janë gjuajtjet në portë. Skuadra nuk provon nga distanca, edhe pse lojtarët e pjesës ofensive, duke përfshirë edhe Krkotiçin kanë gjuajtje të mirë.

Milinkoviçi ka punuar shumë në stërvitje me goditjet nga larg, por duket se nuk janë marrë për “bazë” nga skuadra e tij. Ky minus u vu re edhe në sfidën ndaj Kamzës, pasi me Partizanin edhe mundësitë janë më të pakta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *