Alesio Abibi, portieri i Tiranës, u përfol se do të kalonte te Kastrioti në Kategorinë e Parë. Duke e quajtur një lajm të fundit të merkatos, një kalim i tillë do ishte përforcim shumë serioz për skuadrën krutane, që zbriti në Kategorinë e Parë dhe synon rikthimin në elitë.
Gjithsesi Abibi për SportEkspres.com deklaron se nga Tirana largohet vetëm për një skuadër jashtë Shqipërisë. “E kam lexuar këtë lajm dhe e quaj spekulim. E pranoj që disa ekipe të Superiores, si edhe Kastrioti, më kanë kontaktuar. Por vetëm kaq.
Është normale në merkato, por unë u kam thënë se kam kontratë edhe një vit me Tiranën, ndaj do ta respektoj. Nuk kam deklaruar se do largohem nga Tirana, sepse një sezon bardheblu vlen sa tre sezone në çdo skuadër tjetër në Kategorinë Superiore”, deklaron Abibi.
Ndërkohë gardiani i Tiranës deklaron se është në bisedime me një skuadër jashtë Shqipërisë dhe nga Tirana vetëm kështu mund të largohet. “Unë jam në bisedime me një skuadër jashtë Shqipërisë dhe vetëm po të dakordësohem me ta do lëviz nga Tirana. Këtu në Shqipëri nuk shkoj në asnjë skuadër tjetër. Jam i fokusuar te Tirana, asnjë skuadër tjetër këtu mos të më llogarisë në plane të merkatos”, përfundon Abibi.
AGRON KAJA