Opinion nga Anton Cicani
“A keni bileta për stadium?” “Sa të duash, në çfarë vendi i do?” “Jo, jo, pyeta sepse më vjen keq që s’do t’i shesësh dot…”… Pak a shumë e imagjinoj kështu një bashkëbisedim mes shitësit të biletave te një sportel i çfarëdoshëm i një stadiumi shqiptar dhe një tifozi, që preferon të ikë te loto përballë dhe të ndjekë një ndeshje tjetër apo vendosë bast me shpresë se do të fitojë, se sa të fusë këmbët aty ku më shumë do të mërzitej se sa lumturohej. Ky ishte kampionati më i bukur. E vërtetë.
Aq i bukur saqë në fund, përpos verdikteve, tifozët e facebook-ut (kështu i quajnë, kur i vjen keq, por harrojnë që një koment mund ta bëjnë edhe nga shkallët, mjafton të hapin internetin) e quajnë të turpshëm. Akuza, aludime, aleanca, arbitra, favorizime e kështu me radhë. Mund të ketë shumë forma për të larguar tifozët, por më e shëmtuara është ajo që të tallesh me ata. Gabime njerëzore? Posi… Akuza pabazë? Vazhdo… Presion i madh? Normalisht.
Të gjitha këto, për t’i dhënë llustër një epilogu që ka mbartur vetëm vrer. Ndërkohë, përshëndesim Tiranën, që bie në Kategorinë e Parë për të parë herë në histori dhe fiton një kupë të cilën do ta ndërronte qoftë edhe me 10 minuta më shumë në “Loro Boriçi”… I themi “më fal” Luftëtarit, që na kënaqi sytë, por që vetëm kaq mund të bënte. Shohim Kukësin kampion dhe e urojmë, edhe pse, zoti Safet, në festë nuk të erdhi kush. Jemi xhelozë, ne shqiptarët. Nuk është faji yt jo, sepse kështu ishte edhe me Skënderbeun disa vjet më parë. Shohim gjyqe, CAS, Etika që merr rrogën më kot dhe shtyn vendimin, por edhe arbitra të huaj që futen si ato “mushkonjat” që kalonin në Divjakë dhe askush nuk i shihte…
Dhe, në fund, pamë Partizanin dhe Skënderbeun që e mbyllin me “zero” trofe. Do të jetë për herë tjetër. A po? Ishte produkti më i bukur, por sa keq që vetëm në ëndrra. Dhe, kjo fotografi që kam zgjedhur i ngjan më shumë një pikture “futuriste”. Ju do të thoni pse? Sepse shpresoj që vitet në vazhdim të mos jenë kështu në stadiumet tona.
Të na rrojë “Elbasan Arena” dhe “Loro Boriçi”, fundja i kemi shtuar vendin edhe dy vepra arti më shumë, për turistët. Aman vetëm të mos qëndrojnë gjatë, në Shqipëri.