Myrto Uzuni ka ngjallur interes të madh në këtë merkato vere pas sezonit të shkëlqyer që zhvilloi me Granadën në La Liga 2. Sulmuesi shqiptar u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit me 23 gola të shënuar, duke qenë pika kyçe e suksesit të Granadës për t’u ngjitur në elitën e Spanjës. Southampton-i ka shprehur interes për të blerë kartonin e tij, por së fundmi është shtuar konkurenca në Angli.
Sipas “AS”-it, edhe Leeds-i është vënë në garë për Myrto Uzunin. Klubi britanik ra nga Premier League sezonin e shkuar dhe është vënë në kërkim të një sulmuesi anësor për t’i ndihmuar të kthehen sërish në ajkën e futbollit anglez. Ndërkaq, Granada e ka bërë të qartë se është e hapur për negociata vetëm nëse klubet e interesuara pranojnë të paguajnë klauzolën prej 25 milionë eurosh të vendosur për lojtarin e Kombëtares shqiptare./Halit Delibashi-Sport Ekspres/