Kaloi provat te Basaksehir, dështoi transferimi shkaku i pengesave nga Rabotniçki, ndërsa të shtunën ishte në fushë bashkë me yjet e Romës.
Kjo është historia në pika të shkurtëra e djaloshit shkupjan, Donart Ibraimi që duket se ka gjetur rehati te Partizani i Tiranës. Mesfushori me tipare sulmuese u rrit te shkolla e futbollit Rabotniçki. U ra në sy me talentin e tij dy djelmoshave në moshë relativisht shumë të re në biznesin e transferimeve, por të sinqertë e ambicioz për ndërtuar diçka serioze në botën e menaxhmentit futbollistik.
Erduan Ali dhe Muaz Ramadani bashkojnë forcat dhe futen në botën e agjentëve të futbollit, ndërsa mes tjerash prezantojnë te Basaksehir i Turqisë talentin e Rabotniçkit, Donart Ibraimin. Madje lobi i tyre ishte aq ndikues saqë shkupjanit i’u mundësua prova disa ditore te ekipi turk. Donarti do të kalonte me sukses testimet, mirëpo fatkeqësisht transferimi nuk do të ndodhte shkaku i kërkesës së lartë të Rabotniçkit për training kompenzim.
Goditje e madhe për futbollistin e talentuar dhe dy agjentët që fillojnë të marrin “mësimet” e para me kosto në tregun e “egër” e shpesh herë edhe jo korrekt të menaxherëve të futbollit.
Mirëpo, Erdoani e Muazi nuk kishin nisur këtë rrugëtim për t’u dorrëzuar që në pengesën e parë që do shfaqej. Përkundrazi, ata vazhdojnë të shohin para tanimë me ambicie shumë të ndryshuara, por gjithnjë me vizion të qartë për të ardhmen. Ata vendosin Donart Ibraimin ta dërgojnë në Ligën e Dytë të Maqedonisë së Veriut. Ekipi i Kozhufit do të ishte mundësia ku Donarti do të kalitej në futbollin e të rriturve, ndërsa impakti pozitiv padyshim se do hapte rrugë tjera.
Përfundimisht në merkaton e verës Donart Ibraimit i mundësohet kalimi te Partizani i Tiranës, ku 19-të vjeçari pritet të vazhdojë ngritjen e tij prej futbollisti. Të shtunën Ibraimi ishte pjesë e miqësores së luksit, Partizani-Roma, duke shijuar një mundësi unike për tu përballur me një ekip të madh e me yje të shumtë nga bota e futbollit.
Për Donartin dhe agjentë Erduanin e Muazin, ky mund të quhet fillimi, por duke parë pasionin, dëshirën, sinqeritetin, profesionalizmine përkushtimin, e ardhmja pritet të sjellë gjëra konkrete e serioze.