Xhakomo Vrioni është një nga emrat për tu nënvizuar të Kombëtares shqiptare. Sulmuesi 23-vjeçar është duke zhvilluar sezonin më të mirë në karrierën e tij. 17 gola mes kampionatit dhe kupës me fanellën e Tirolit, kur kanë mbetur ende edhe disa javë për t’u luajtur. Sigurisht që golat e tij kanë tërhequr vëmendje, sidomos në klubin e Juventusit.
Bardhezinjtë zotërojnë kartonin e sulmuesit shqiptar, i cili me statistikat e tij me shumë mundësi i ka bërë vend vetes që të paktën të ketë një shans prove në sezonin parapërgatitor të “zonjës së vjetër”. Vrioni është lojtari që ka shënuar më shumë ndër futbollistët e huazuar të Juventusit, sa i përket ligave më të forta.
Më shumë se ai ka bërë vetëm Brunori, me 25 gola, por sulmuesi në fjalë luan në Serinë C të Italisë me Palermon. Një nivel ky qartësisht më i ulët se sa elita e austrisë, nga ku kanë dalë edhe emra të njohur si Halandi. Ndërkohë, sulmues të tjerë të huazuar nga Juventusi janë edhe Markez në La Liga 2 dhe Zanimakia në Serinë B, me respektivisht 10 dhe 8 gola./Halit Delibashi-Sport Ekspres/