“Skukës i bërtas shumë, ka karakter të vështirë“, Mehmeti gjen kritika edhe në fitore: Jam i mërzitur me pësimin e golit

Dritan Mehmeti ka folur për emisionin “Gol pas Goli“ në “Supersport“ pas përfundimit të ndeshjes kundër Laçit. Fitorja 2-1 e kënaq trajnerin e Partizanit, por nga ana tjetër ka kritika për fazën mbrojtëse të skuadrës së tij. Mehmeti shprehet se Kallaku nuk është në formën e tij fizike, ndërsa sa i përket Skukës zbulon se ka një karakter të vështirë dhe përpiqet ta mbajë me këmbë në tokë.

“Nuk patëm frikë (pas pësimit të golit), por nuk më pëlqeu që skuadra u vendos gabim në pësimin e golit dhe për këtë jam shumë i mërzitur. Të pësosh të tillë gola, i jep iniciativë kundërshtarit. Partizani duhet të bëjë Partizanin dhe të rrisë cilësinë e lojës dhe të shoh në të dyja frontet, kampionat dhe Kupë. Përballë një kundërshtari të mirëorganizuar si Laçi na kënaq fitorja, por duhet të nxjerrim mësime sepse bëmë gabime.

Kallaku nuk është në një moment të mirë në aspektin fizik dhe jam munduar ta vendos në një linjë ku është në pozicion natyral, si numër 10, fantazist. Por duke vuajtur fizikisht, vuan në pjesën taktike. Ai duhet të bëjë më shumë të përshtatet me skuadrën, por sot ka bërë mirë dhe shpresoj të rritet. Sa i përket vendosjes në mbrojtje, duhet ta shikojmë se ishim shumë poshtë. Nuk patëm qetësinë e duhur, duhet më shumë personalitet dhe të mos futemi në panik. Kundërshtari na bëri të vuajmë me shtatlartësinë, duhet të ishim më mirë edhe individualisht jo vetëm si skuadër.

Raporti me Skukën? Unë i bërtas më shumë, jam kërkues sepse i kam parë cilësitë e një bomberi te ai. Të qëndroj me këmbë në tokë, i ka mundësitë të rrisë ritmin. Në zonat e ngushta duhet të jetë më i shkathët, është i vështirë si karakter”, është shprehur Dritan Mehmeti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *