E veçantë/ Ja ç’mësuam nga java e 3 e Superiores! Kukësi më i fortë se Anderlehti, Skuka “i tradhtuar” dhe Latifi që zbukuron futbollin shqiptar

Nga Klaudio Ndreca

Laçi të çudit! Mbrojtja fut ujë nga të gjithë krahët, Kukësi rezulton më i fuqishëm se Anderlehti

Laçi i ri të çudit së tepërmi duke marrë për bazë këtë fytyrë të re pas largimit të Duros. Kurbinasit po fusin ujë nga të gjitha drejtimet në mbrojtje, megjithëse po luajnë me të njëjtët emra në fushë sa i përket prapavijës, ashtu si edhe në Europë. Më e çuditshmja është fakti se Kukësi do t’i gjente më shumë hapësira dhe krijoi më tepër raste të pastra në 45 minuta se Anderlehti në të dy ndeshjet në Europë. Këtë e pranoi edhe vetë trajneri i Laçit pas ndeshjes, ku me sinqeritet iu fal fatit që shifrat ishin vetëm 0-1 pas mbarimit të 45 minuta. Asgjë nuk u përmirësua as në pjesën e dytë, ku Laçi iu fal zemërgjerësisë së Kukësit për shpërdorimin e rasteve dhe heroit Zarubica që po i jep sadopak dritë Vukecevic.

Latifi është zbukurimi i madh i Superiores! Vllaznisë i jep krahë për titullin, është vetë marka e Superiores

Liridon Latifi është kthyer! Ndoshta ky futbollist venitet në tokë të huaj dhe dëshiron vetëm atë shqiptare që të kthehet në një yll. Ende nuk mund të kuptojmë sesi lojtari në fjalë nuk ia doli dot në Europë, kur nga ana tjetër sjellim në kujtesë paraqitjet e tij me Skënderbeun dhe formën që po kalon aktualisht me Vllazninë. Jo vetëm që i jep krahë shkodranëve drejt titullit, por është marka më e mirë e kësaj Superiore. Lëvizja e tij në momentin e golit ndaj Partizanit nuk mund të vijë nga shumë lojtarë në futbollin shqiptar, për të mos thënë nga askush. E vendosi rivalin në gjumë dhe praktikisht shënoi golin nga pozicioni i pamundur, Da Silva vetëm duhej ta shoqëronte. Nota 10, Latifi është bukuria e Shqipërisë, jo vetëm e Vllaznisë!

Skuka “i tradhtuar” te Dinamo, trajneri Shkëmbi nuk i del në mbrojtje futbollistit të tij

Një moment shumë i veçantë në këtë javë të Superiores ishte te Dinamo. Trajneri Shkëmbi zgjodhi që të largonte Skukën në minutën e 43 të takimit, pa u mbyllur ende pjesa e parë. Jo për shkakun e një problemi dëmtimi, por për zgjedhje taktike. Ky ndërrim i bërë nga ana e trajnerit të Dinamos kishte për qëllimin që të vinte si një mesazh i fortë. Në të kundërt nuk do të ishte aspak problem që të priteshin edhe dy minuta të tjera, për të bërë zëvendësimin në kushte më normale dhe ku askush nuk do të haludonte se çfarë nuk shkoi me rastin në fjalë. Hapësirat për Skukën kanë qenë shumë të pakëta dhe me rastin e parë që i jepet, nga ana tjetër i merret në mënyrën më të keqe. Për më tepër që Shkëmbi nuk ngurroi për ta kryqëzuar në media duke thënë se Skuka nuk fitoi një duel të vetëm dhe që e hoqi për këtë arsye. Në raste identike në gjithë botën mbarë, trajneri i qëndron pranë futbollistit të ri dhe mundohet ta mbulojë në të paktën tre ndeshjet e para ku bënë gabime. Skuka e sheh veten që të zbulohet me rastin e parë!

Paradoksi i Kukësit! Ekipi që ka shënuar më shumë gola në Superiore ka pikën më të dobët…sulmin

Paradoksi i madh vjen te Kukësi sa i përket golave të shënuara dhe rastet e krijuara. Verilindorët janë ekipi më produktiv në Superiore me tetë gola, të ndjekur nga Vllaznia me vetëm një më pak. Por duke nisur nga vetë trajneri, gjithmonë është thënë se sulmi i Kukësit po vuan. Po, është e drejtë! Pjesa e parë ndaj Laçit duhej të mbyllej të paktën në shifrat 0-3, por përfundoi me vetëm një gol të shënuar. Në pjesën e dytë u humbën të tjera raste fatale para portës së kundërshtarit që e bënë Kukësin të mos dilte me tre pikët nga një përballje që shihej “e marrë fund”. Gjithçka ishte paralajmëruar edhe nga vetë trajneri Longo më herët. Nëse më parë Kukësit i faleshin ato gabime para porte, nga ana tjetër duhej nisur përmirësimi pasi ndaj rivalëve të mëdhenj në letër, diferenca në cilësi do të ndikonte për të vendosur fatin e ndeshjes. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *