Nga Klaudio Ndreca
Podgorica mund të ndeshej kundër Kups, Sarajevos, Slovak Zilinas dhe Laçit. Shorti i hedhur në ditën e sotme e vuri këtë skuadër në përballje me kurbinasit e Superiores. Megjithëse Laçi është favoriti kryesor për të kaluar në turin tjetër, te Podgorica janë shumë të lumtur që goglat iu përgjigjën dëshirës së tyre. Të paktën këtë e dëshironte trajneri Dejan Roganovic. Në intervistën e dhënë pas hedhjes së shortit, Roganovic është shprehur se kërkonte Laçin si rival dhe tani është momenti për të treguar dhëmbët.
“Ne nuk ishim të privilegjuar në short dhe e dinim se përballje të vështira në prisnin. Morëm një listë me katër rivalë të mundshëm. Mes ekipit finlandez që po e zhvillon kampionatin tani dhe Sarajevës me Zilinën që kanë reputacion në Europë, Laçi ishte rivali më i dëshiruar për ne.
Jam i kënaqur edhe nga ky drejtim, por ende kemi punën e vështirë përpara. E dimë se kampionati shqiptar është i vështirë, i përforcuar nga të huaj. Do të nisim me analizat në ditët në vijim dhe do të përgatitemi sa më mirë. Edhe pse jemi debutues, jam i sigurt se do të tregojmë dhëmbët dhe do të bëjmë gjithçka për të vazhduar në turin tjetër”, tha Roganovic. /Sport Ekspres/