“Doja të merrnim pjesë prapë, por fati e solli kështu”, Euro 2020 në sytë e De Biazit: Italia nuk mund të bënte më mirë se kaq

Xhani De Biazi ka qenë i ftuar në një lidhje në “Skype“ me emisionin “Euromania” në “News 24”, ku ka dhënë mendimet e tij për  këtë kampionat Europian. Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare e nis fjalën e tij me dëshirën për të qenë përsëri pjesë e këtij kompeticioni madhor, por fati ka rezervuar tjetër rrjedhë. De Biazi përgëzon Italinë për nivelin e treguar dhe rrëfen se “axurrët” së bashku me Francën, Belgjikën dhe Anglinë janë skuadrat favorite për të ngritur lart trofeun këtë vit.

“Përshëndetje, do të isha mirë që të isha prapë, të merrnim pjesë por fati e solli kështu. Është e vështirë të thuhet. Surprizat janë se asnjë nuk mund të bëjë parashikime. E vetmja gjë e bukur ishte ndeshja midis Holandës dhe Ukrainës. Kam thënë edhe herë të tjera, që shpresoj që Italia të shkojë deri në finale. Më mirë se ka bërë Italia tani, nuk mund të kishte bërë. Ka krijuar një grup të fortë, me të rinj cilësorë, që luajnë me skuadra të rëndësishme në Itali dhe jo vetëm. Kur flitet për diferencën, flitet për sulmuesit. Mund ta bëjë Immobile, Insigne, por ka edhe të tjerë.

Besoj se Italia do të mbërrijë deri në finale. E thashë edhe më parë, që Italia, bashkë me Belgjikën dhe Francën mund të shkojë deri në finale, është dhe Anglia në këtë listë. Edhe pse Anglia u paraqit dobët në ndeshjen e parë, e rëndësishme është që fitoi.

Anglia në kompeticione të mëdha nuk arrin të paraqitet mirë, edhe pse ka elementë tepër të mirë në fushë. Franca për fatin e keq ka një grup të fortë, me Gjermaninë, Portugalinë dhe Hungarinë, por nëse bën mirë këtu, padyshim do të shkojë deri në fund. Është një ndeshje e vështirë, ajo e Francës dhe Gjermanisë, fati i vendosi ndaj njëra-tjetrën. Mendoj që tre skuadra mund ta fitojnë Evropianin, që janë Franca, Italia dhe Anglia.

Eriksen? Mendova atë që menduam të gjithë. Për fat të mirë, ndërhyrja e shpejtë mjekësore arriti ta shpëtonte. Të gjitha shpresat janë që ai të rikthehet sa më shpejt dhe të bëj një jetë normale”, ka thënë Xhani De Biazi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *